Kjo periudhë përkon më së miri me konsumin e qershive të cilat tashmë janë hedhur në treg për konsumatorët.
Të gjithë ju që po lexoni tani këto rreshta me siguri e keni parasysh momentin kur kalon në treg dhe hedh shikimin nga sektori i qershive. Padyshim nuk mund të kaloni pa mbushur qeset.
Por, përveçse janë të shijshme, qershitë kanë edhe mjaft veti të shëndetshme dhe kurative.
Zakonisht sa më e errët të jetë ngjyra e kuqe, aq më e mirë është qershia, pasi kjo se është plotësisht e pjekur. Gjithashtu duhet të kontrolloni dhe bishtat që të jenë jeshile, ndërsa dhe kur ruhen marrin një ngjyrë si vishnje.
Vetitë e qershive
Qershia përmban vitaminë C, A dhe potas. Por, në të gjenden në sasi shumë të vogla edhe minerale, polifenolë dhe fibra. Ndihmon shumë në funksionimin e aparatit tretës dhe ka efekte anti inflamatorë. Përmban flavonoidë që kanë aksion antioksidant dhe luftojnë radikalet e lira.
Sipas disa studimeve, vetitë e qershisë ndihmojnë edhe me problemet e kyçeve, që vijnë nga artriti.
Një veçanti e qershisë është përmbajtja e lartë e melatoninës, që njihet për balancimin e ciklit gjumë-zgjim. Një veti tjetër e saj është edhe dobia që ka për të luftuar sëmundje të zemrës.
Edhe bishtat e qershive kanë efekte pozitive në shëndet dhe mund të bëhen çaj.
Qershitë përmbajnë beta-carotene, lëndë ushqyese që gjendet me shumicë tek karrota dhe njihet për vetitë e saj në përmirësimin e shëndetit të syve.
Janë të pasura me kalium. Kaliumi luan një rol kyç në sigurimin e mineraleve në organe si zemra, veshkat, truri dhe indet muskulare. Ndihmojnë në shëndetin e zemrës.
Universiteti i Michigan-it doli në përfundimin se qershitë mund të jenë më të mira se barnat kur vjen puna tek shëndeti kardiovaskular, duke qenë se janë të pasura me përmbajtje që zvogëlojnë rrezikun e ndonjë goditje në zemër.