Përgjigjen e jep Dr. Elton Peçi nga Spitali Amerikan
Kjo është një nga pyetjet më të shpeshta që më drejtojnë pacientët gjatë konsultave për infertilitet. Që të ketë paragjykime dhe keqkuptime lidhur me Fertilizimin In Vitro kjo është më se normale. Një nga paragjykimet që takohet shpesh edhe në ata që lexojnë më shumë është se “bebat me IVF janë më pak normalë përderisa ata janë të konceptuar në mënyrë artificiale”. Disa madje shkojnë deri aty sa të mendojnë ose të shprehen se bebat edhe mund të prodhohen sipas kërkesave të ndryshme në laborator.
Por e vërteta është totalisht ndryshe. Bebat me IVF janë po aq normalë sa edhe bebat e tjerë qoftë për sa i përket zhvillimit fizik por edhe atij mendor. Ata lindin njësoj si edhe bebat e konceptuar në mënyrë natyrale.
Është e vërtëtë se në Fertilizim In Vitro, gjinekologu specialist në mjeksinë riprodhuese transferon embrionin përmes një kateteri në brendësi të uterusit (mitrës) së femrës, por procesi i “implantimit dhe zhvillimit të embrionit është po aq normal sa edhe në rastet kur ndodh si pasojë e kontaktit seksual. Të gjithë duhet të kuptojnë se akronimi ART që përdoret për IVF do të thotë Teknikat e Riprodhimit të Asistuar (Assisted Reproductive Technology), dhe jo Teknikat e Riprodhimit Artificial (Artificial Reproductive Technology).
E vetmja diferencë midis IVF dhe fertilizimit natyral është se në rastin e IVF, spermatozoidet dhe ovocitet (vezët) fertilizohen në laborator nën vëzhgimin e embriologëve, pra, bashkimi i tyre ndodh në epruvetat laboratorike dhe jo në tubat e Fallopit sic ndodh në fertilizimin natyral. Fertilizimi In Vitro nuk bën gjë tjetër vetëm se bashkon spermatozoidet me vezët të cilat për arsye të ndryshme nuk mund të takohen në mënyrë spontane (qoftë për shkak të problemeve me numrin apo cilësinë e spermatozoideve dhe / ose të vezëve, të bllokimit të tubave të Fallopit dhe për shumë arsye të tjera.