Akomodim pranë shtëpive autentike dhe qindra vjeçare…
Flet për Probizz.al Z. Olsi Pengili, Themelues i Albergo Diffuso në Krujë dhe platformës Visit Kruja.
Si ju lindi ideja për të hapur këtë biznes apo e kishit studiuar zonën dhe ofronte të ardhme për turizmin?
Ideja për të hapur një aktivitet në Kalanë e Krujës ka qenë e hershme , rreth 10-vite më parë, gjatë angazhimit tim në rivitalizimin e Hamamit të Krujës, nga CHWB (Culture Heritage With Borders). Kjo ka qenë periudha që unë kam filluar të angazhohem me projektet e turizmit dhe trashëgimisë kulturore. Me angazhimin tim gjatë këtij projekti, është thelluar dhe zhvilluar më tej koncepti dhe ideja mbi realizimin e një aktiviteti në Kalanë e Krujës, si një nga zonat më strategjike jo vetëm për Krujën, por edhe Shqipërinë. Në vazhdimësi të ndjekjes së vizionit tim, në vitin 2016 kam realizuar një investim në zonën e Kalasë së Krujës, duke blerë një nga shtëpitë e lagjes së banuar brenda saj, me idenë për ta pershtatur si bujtinë për turistët. Sa i përket modelit Alberghi Diffusi jam njohur në vitin 2020, nga Z. Mirtjon Mita (Tourism Project Manager pranë RISI Albania) gjatë një bashkëpunimi që sapo kishim nisur mbi zhvillimin e projekteve të turizmit në qytetin e Krujës. Janë nevojitur rreth 3 vite punë intensive, në bashkëpunim të ngushtë me projektin RISI Albania, për ta implementuar këtë model inovativ për turizmin në Shqiperi, në zonën e Kalasë së Krujës. Procesi ka konsistuar, që nga realizimi i vlerësimit të zonës, përzgjedhja e shtëpive dhe partnerëve lokal që do të ishin pjesë e Kruja Albergo Diffuso, nënshkrimi i marrëveshjeve të bashkëpunimit me pronarët e shtëpive, realizimi i projekteve arkitekturore , restaurimi dhe arredimi i tyre, dhe deri në trajnimin e aktorëve të ndryshëm lokal, si guida turistike, artizane etj. Një kontribut të vyer në realizimin e këtij projekti ka dhënë edhe Ministria e Kulturës , nëpermjet zbatimit të programit të saj “Bonusi i Rijetësimit” , që konsiston në mbështetjen e restaurimit dhe rivitalizimit të shtëpive, me anë të granteve.
Pse një turist, vizitor duhet t’i drejtohet kompanisë tuaj?
Ajo që e bën më të veçantë Kruja Albergo Diffuso, qëndron në faktin e implementimit të një modeli inovativ të turizmit në Shqipëri, siç është Albergo Diffuso dhe fakti që jemi të parët në Shqipëri, për ne është privilegj dhe sfidë në të njëjtën kohe. Oferta e Kruja Albergo Diffuso konsiston në akomodimin pranë shtëpive autentike dhe qindra vjeçare të Kalasë së Krujës, përjetimin e eksperiencave të ndryshme nga artizanë të zonës (Realizimi i qeleshes, Punimi i qilimit në tezgjah), Cooking Class me gatime tradicionale nga zonjat e kalasë së Krujës, apo ofrimi dhe degustimi i kafes së pjekur si në kohët e hershme etj. Gjithashtu një pikë e fortë e Kruja Albergo Diffuso do të jetë edhe ofrimi i tureve të ndryshme në kulinari dhe agroturizëm si Wine and Olive Oil Testing, tureve në natyrë (Hiking, Bike tours etj), tureve kulturore (Kurse në pikturë dhe muzikë), dhe tureve rajonale që zgjasin 2-3 ditë. Kjo do të mundësojë zgjatjen e kohëqëndrimit të turistëve në Krujë, dhe përjetimin e një eksperience sa më të plotë dhe të pasur nga qyteti i Krujës. Kruja Albergo Diffuso do të operojë si një tur operator lokal, duke ofruar edhe shërbime të tjera të domosdoshme për turistët si ofrimin e guidave turistike, shërbimin taksi, makina me qera etj.
Sa kapacitete ka Kruja sa i përket turizmit?
Kruja ka një potencial të madh në fushën e turizmit. Kruja është qyteti më i vizituar në
Shqipëri , me rreth 300-mijë vizitorë në vit. Dy nga pikat strategjike në favor të
zhvillimit të turizmit janë pjesa historike, si kryeqendra e shqiptarëve ndaj pushtuesve
osmane më në krye heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe pozita
gjeografike, e cila ndodhet vetëm 32 km nga kryeqyteti i Shqipërisë (Tirana) ,
17-km nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës dhe 34-km nga Porti Kryesor i Shqipërisë
(Porti i Durrësit). Kruja mundëson një ofertë të pasur dhe larmishme përsa i përket
paketës turistike :
1.Turizmin Historik nëpërmjet vizitave në Muzeun Historik Kombëtar
“Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeu Etnografik , dy nga muzetë më të vizituara në
Shqipëri.
2. Turizmin e Trashëgimise kulturore , nëpërmjet Pazarit karakteristik më të vjetër në
Shqipëri , si qendra e artizanatit dhe antikuareve në Shqipëri.
3.Turizmin e Natyrës , nëpërmjet Parkut Kombëtar të Qafështamës, si një nga parqet më të bukura në Shqipëri . Gjithashtu natyra e Krujës është e pasur me male, kanione, liqene etj, që përbëjnë një potencial shumë të madh për zhvillimin e turizmit të natyrës dhe aventurës në zonën e Krujës.
4.Turizmin Religjioz, nëpërmjet një numri të lartë të objekteve historike të kultit, si kisha , xhami dhe teqe. Një nga destinacionet e shumë vizituara është edhe Teqeja e Sarisalltikut në malin e Krujës , që është një vend peligrinazhi për qytetarë nga gjithë Shqipëria.
5.Agroturizmi është një potencial tjetër për zhvillimin e turizmit në qytetin e Krujës. Agroturizmi është në hapat e parë të zhvillimit dhe do të jetë një faktor i rëndësishëm në zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm në zonën e Krujës, dhe ofrimin e produkteve lokale turistëve të shumtë që vizitojnë qytetin e Krujës. Relievi dhe klima e zonës së Krujës mundëson më së miri zhvillimin e agroturizmit.
Nga cilat shtetet vijnë më shumë për të vizituar Krujën?
Vizitorët në qytetin e Krujës janë të shumtë dhe të larmishëm, nga vende të ndryshme të botës. Por vizitorët më të shumtë vijnë kryesisht nga Evropa, si polak, spanjoll, gjerman, italian etj. Numrin më të lartë e zënë turistët polak dhe ato spanjoll. Gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2023, Muzeu Historik Kombetar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” , si një nga muzetë më të vizituara në Shqipëri, është frekuentuar nga 35- mijë vizitorë vendas e të huaj. Vetëm gjatë muajit qershor Muzeu Historik Kombetar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” , është vizituar nga 12-mijë vizitorë . Sipas statistikave të këtij viti kemi një rritje të numrit të vizitorëve aziatike,nga Kina, Japonia dhe Indonezia, numër që do të vijë në rritje edhe me largimin e efekteve të pandemisë.
Në cilat qytete te tjera organizoni guida dhe paketa turistike?
Siç e cituam edhe më lart Kruja Albergo Diffuso ka përgatitur edhe ture rajonale në bashkëpunim me tur operatorë të tjerë dhe aktorëve të ndryshëm .
Ndër to mund të përmendim turet 1-ditore :
*Kepi i Rodonit-Kisha e Skënderbeut-Gjiri i Lalëzit-Kantina Duka
*Kalaja e Krujës-Barkanesh-Buran-Qinam-Pinar (Tur me biçikletë)
*Kalaja e Krujës – Rruga Lekë Zaharia – Liqeni i Bovillës.
Ndërsa në turet 2-3 ditore kemi përfshirë këto ture :
*Kruja –Liqeni i Komanit-Kosovë ;
*Kruja – Virpazar – Kruja
*Kruja – Ohër – Kruja
*Kruja- Vlorë- Ishulli i Sazanit –Llogara-Dhërmi-Qeparo-Vlorë-Kruja
Olsi Pengili është themelues i Albergo Diffuso në Krujë, i njohur tashmë edhe si themeluesi i Visit Kruja, platforma më e madhe e marketingut turistik të qytetit të Krujës, njëkohësisht edhe infopoint zyrtare e turizmit prej 3 vitesh (2017-2020). Pengili është themelues i Traditional Fashion, një markë moderne veshjesh, me motive tradicionale. Eksperienca e mëparshme përfshin Drejtor i Gazetës “ZOOM”, Drejtor i Tatimeve në Bashkinë Krujë, Konsulent Turizmi pranë AADF (Albanian American Development Foundation) për projektin TID Kruja.