SHELLA: SYNIMI YNË MADHOR ËSHTË TË KRIJOJMË BANKËN E SË ARDHMES
Duke filluar nga 1 dhjetori sektori bankar do të ketë zyrtarisht 11 banka. Bankat OTP Albania dhe Alpha Bank Albania janë bashkuar ligjërisht, duke finalizuar procesin e nisur pas blerjes së bankës së fundit greke në Shqipëri nga grupi hungarez OTP.
Lajmi është shpërndarë në rrjetet sociale edhe nga vetë Drejtorit të Përgjithshëm i OTP Bank Albania Z. Bledar Shella.
“Pas shumë muajsh pune intensive e bazuar në përkushtim të jashtëzakonshëm – dhe përdor këtë moment për të shprehur mirënjohjen time të thellë për kolegët e OTP Bank Albania, Alpha Bank Albania, Grupit OTP dhe partnerëve tanë – kam kënaqësinë e veçantë te komunikoj kurorëzimin e bashkimit ligjor të Bankës OTP Albania dhe Bankës Alpha Albania. Të dy Bankat nga sot, ligjërisht veprojnë dhe u shërbejnë klientëve tanë si Banka OTP Albania.” – shkruan Z. Shella.
Drejtori i Përgjithshëm i OTP Bank Z. Shella zotohet se banka e së ardhmes do të jetë në shërbim të klientëve me produktet dhe shërbimet më të mira.
“Nga sot, synimi ynë madhor është të krijojmë Bankën e së ardhmes me shërbimin shembullor ndaj klientëve tanë, produktet dhe shërbimet më të mira që plotësojnë çdo nevojë të tyre dhe kështu, do të vijojmë të përmirësohemi e zgjerohemi për t’u bërë banka më e madhe dhe më e mirë në tregun bankar shqiptar.Ky bashkim ligjor është një etapë e mrekullueshme në të cilën kemi arritur dhe tashmë ne të gjithë kemi mundësitë për t’u bërë lojtar kyç në tregun bankar shqiptar, dëshirë kjo që na ka shoqëruar për vite me radhë dhe sot progresi është në dorën tonë.” – shprehet Shella.
Marrëveshja mes grupit grek Alpha Bank dhe atij hungarez OTP për blerjen e Alpha Bank Albania u njoftua zyrtarisht në fund të muajit dhjetor 2021. Në fund të muajit shtator Banka OTP Albania, ishte banka e pestë më e madhe në Shqipëri dhe zotëronte 6.5% të aktiveve të tregut bankar, për një vlerë totale prej 121.6 miliardë lekësh.