Bursa e Energjisë nis trajnimin në platformën e tregtimit me pjesëmarrësit e tregut

Bursa Shqiptare e Energjisë ka nisur tashmë zyrtarisht trajnimi përmes platformës së saj të tregtimit.

Teksa më herët ishte njoftuar që operimi do të niste në datë 23 nëntor duket se kjo datë në fakt ka shënuar çeljen zyrtare të periudhës së trajnimit nëpërmjet platformës së tregtimit.

Kjo do të thotë që palët që janë të regjistruara tashmë do të mund të kryejnë procedurat e tregtimit në një formë simulimi për të kaluar më pas në fillimin e plotë të funksionimit të Bursës.

Sipas njoftimit të ALPEX “ky trajnim do ti mundësojë ALPEX-it në rolin e operatorit të tregut si dhe pjesëtarëve të tjerë potencial të tregut të marrin pjesë në një ambient tregtimi për të përfituar njohuritë e duhura që lidhen me mënyrën e ofertimit të energjisë elektrike në tregun e organizuar si dhe rezultatet e këtij procesi në një mjedis real”.

Njoftimi nga ana tjetër nuk thotë periudhën e këtij trajnimi dhe se kur do të kemi një nisje të punës së Bursës.

Platforma e tregtimit në Bursën Shqiptare të Energjisë u ndërtua nga një konsorcium grek i cili u shpall fitues i garës në janar të këtij viti.

Kompanitë në fjalë ishin HELLENIC ENERGY EXCHANGE S.A (Bursa Greke e Energjisë), ENEX CLEARING HOUSE (Kompania për platformën e rakorim/ likuidimit financiar) dhe HELLENIC EXCHANGES – ATHENS STOCK EXCHANGE S.A(Bursa e Titujve e Greqisë).

Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike u themelua në 5 tetor 2020 dhe ka si aksionerë operatorët e transmetimit të Kosovës dhe Shqipërisë. Konkretisht OST ka 57.25 për qind të aksioneve dhe KOSTT 42.75% të tyre.

Nisja e funksionimit të Bursës shihet si një mundësi për të rritur transparencën dhe për ta bërë më konkurrues tregun e energjisë në vend.

Po kështu kjo Bursë shihet si një mundësi për ta bërë më të thjeshtë procesin e liberalizimit në tregun e energjisë ku nga 2018 kanë dalë në këtë treg bizneset e lidhur në tension 35 kilovolt ndërsa ato të lidhura në 20,10,6 kilovolt ende po furnizohen me çmime preferenciale edhe pse më të lartë se më parë nga qeveria.

Burimi: Revista Monitor