Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur se nga 17 kompani që shfaqën interes për ankandin e hapur nga qeveria mbi impiantet eolike vetëm 6 prej tyre kalojnë në fazën e dytë.
Gjatë një konference Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dha detajet e ecurisë së procesit duke nënvizuar se në fazën e parë pjesëmarrja ka qenë e lartë për ankandin nga kompani të huaja por edhe shqiptare të cilat kanë hyrë në bashkëpunim me të huaja. Shqyrtimi i dokumentacionit tekniko-ligjor duket se ka s’kualifikuar shumicën e pjesëmarrësve duke lënë në garë tashmë vetëm 6 prej tyre të cilat janë: Total EREN, Verbund, Voltalia, Eksim Yatrin Holding, Ayan & Salillari, Guris & Morgan Energy.
Tashmë në fazën e dytë do të shihen kapacitetet financiarë të kompanive për të përballuar zbatimin e projektit ndërkohë që ministrja Belinda Balluku tha se fakti që procesi është mbështetur nga BERZH dhe SECO u mundëson mbështetje edhe në këtë aspekt.
Një vit më parë ministria çeli zyrtarisht ankandin për dhënien e kapaciteteve të para të impianteve eolike me marrëveshje. Ankandi u njoftua se do të kishte disa faza ku në fazën e parë që zgjati 12 muaj u vlerësuan argumentet për eksperiencën teknike, burimet financiare si dhe pozita ligjore e kompanive të interesuara.
Në fazën e dytë që nis tani do të bëhet vlerësimi i ofertave. Çmimi tavan për ofertat në ankandet e energjisë nga era është vendosur 75 euro/MW që do të thotë se oferta duhet të jetë më e ulët se kjo shifër.
Fotovoltaikët interesi
Ministrja Balluku tha se ka vijuar interesi për ndërtimin e impianteve fotovolatikë diçka që është bërë edhe më interesante si investim për shkak të fizibilitetit të lartë ekonomik nga këto projekte si rezultat i çmimeve të rritura. Balluku tha se për impiantin e Karavastasë tashmë ka nisur puna prej disa kohësh ndërkohë që Spitalla është në fazat e fundit të dokumentacionit për të nisur më pas punën. Në total kapaciteti i instaluar për projektet për të cilat ka interes në energjinë fotovolatikë është 610 MW sipas ministrisë. Lidhur me një kërkesë të vetëprodhuesve të energjisë që instalojnë impiante deri në 500 KWp dhe që kanë kërkuar një bilanc vjetor ministrja konfirmoi do të ketë një konferencë javën e ardhshme.
“Është një nga kërkesat që na ka ardhur dhe ne besojmë që pavarësisht problemeve teknike që mund të ketë për zgjidhjen e saj mendojmë që është një problematikë që mund ta adresojmë dhe netimin vjetor mund të aplikohet duke e bërë kështu më të ndjeshme dhe më të rëndësishëm shkëmbimin e energjisë për palën e investitorëve”, tha Balluku.
Burimi: Revista Monitor