Banka Botërore ka publikuar raportin më të fundit ekonomik për Ballkanin Perendimor ku rritja ekonomike e Shqipërisë u tkurr me 3.3 përqind në vitin 2020, shifër më e vogël nga parashikimi i mëparshëm.
Pikat kryesore të Raportit:
Shqipëria u godit rëndë, fillimisht nga tërmeti i nëntorit 2019 dhe më pas nga pandemia COVID-19.
• Me tkurrjen e shpejtë të turizmit dhe shërbimeve, PBB-ja u zvogëlua me rreth 3.3 përqind.
• Rindërtimi dhe stimujt e lidhur me COVID-19 ndikuan në zbutjen e tronditjeve, por hapësira fiskale u ngushtua.
• Rindërtimi pritet të jetë shtylla kryesore e rimëkëmbjes ekonomike në vitin 2021, duke u ndihmuar nga një rritje e lehtë e kërkesës private për shkak të kufizimeve të vazhdueshme në udhëtim.
“Zhvillimet e Fundit Ekonomike. Rritja ekonomike u tkurr me 3.3 përqind në vitin 2020. Pandemia COVID-19 i shkaktoi një dëm të madh një ekonomie tashmë të shkatërruar nga tërmeti i vitit 2019. Megjithatë, tronditja ndaj themeleve të ekonomisë dhe rritjes ekonomike ishte dukshëm më e vogël nga sa u mendua fillimisht. Mbyllja e sektorëve kyç në tremujorin e dytë (T2) shkaktoi një rënie të madhe të ekonomisë me 10.6 përqind.“- thuhet në këtë raport.
Sipas vëzhgimit sektorët e parë që u goditën nga pandemia në Shqipëri ishin udhëtimi dhe turizmi, dhe kufizimet zyrtare së bashku me ndryshimin e sjelljes pas COVID ndikuan si në ofertë ashtu edhe në kërkesë. Duke pasur parasysh strukturën e ekonomisë, rënia e shitjeve dhe fitimeve pati një efekt disproporcional mbi ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Në verë, me heqjen e masave të distancimit social, aktiviteti ekonomik filloi rimëkëmbjen dhe turistët vendas kompensuan pjesërisht rënien drastike të turistëve të huaj. Ndërsa në T3 rënia ekonomike ishte 2.8 përqind, procesi i rindërtimit pas tërmetit ndikoi në zvogëlimin e efekteve të pandemisë; në T4 rritja e ndërtimit çoi në një rritje ekonomike prej 3 përqind (v-m-v).
Sipas publikimit konsumi privat dhe vendimet për investime u shtynë për shkak të pasigurisë në lidhje me përfundimin e krizës dhe rritjes së numrit të infektimeve.
Investimet u tkurrën me 1.8 përqind në vitin 2020, ndërsa konsumi privat ra me 2.4 përqind. Ulja e numrit të porosive për prodhimin e veshjeve çoi në një rënie të eksportit të mallrave prej 6.7 përqind, ndërsa vizitat turistike ranë me 60 përqind. Kontributi i eksporteve neto në rritjen ekonomike ishte pozitiv me 0.5 pikë përqindjeje (pp), për shkak se importet u tkurrën më shumë sesa eksportet në përgjigje të rënies së kërkesës private.
Pavarësisht problemeve strukturore, treguesit e tregut të punës u korrigjuan relativisht shpejt me rihapjen e ekonomisë pas mbylljes fillestare. Në verë, punësimi nisi të rikuperohej për shkak se një pjesë e humbjeve të vendeve të punës në sektorin e prodhimit u thithën nga sektorët e turizmit dhe ndërtimit. Rritja e shpenzimeve sociale dhe rindërtimi pas tërmetit zbutën ndikimin e pandemisë në varfëri. Disa nga masat e prezantuara nga autoritetet shqiptare ishin subvencionimi i pagave, rritja e shpenzimeve për përkrahje sociale dhe miratimi i dy garancive shtetërore për kreditë e dhëna nga bankat e nivelit të dytë për të lehtësuar pagesat e pagave dhe për të siguruar fondet e nevojshme për kapital qarkullues dhe investime për bizneset. Të ardhurat totale publike ranë në 26.5 përqind të PBB-së, pavarësisht granteve për financimin e rindërtimit. Rritja e deficitit fiskal dhe zgjatja e garancive shtetërore post-COVID për sektorin privat bëri që borxhi publik të rritej në 77.4 përqind të PBB-së.
Ndonëse rregulli fiskal përmban detyrimin për uljen e përvitshme të borxhit në raport me PBB-në derisa ai të arrijë në 45 përqind të PBB-së, borxhi i Shqipërisë u rrit për herë të parë që nga viti 2017.
Rregulli fiskal përfshin një klauzolë për rrethanat e jashtëzakonshme, e cila u aplikua në 2020. Inflacioni ka qëndruar nën kufirin e synuar, megjithëse pas izolimit ai filloi të reflektojë kosto më të larta në transport dhe prodhim. Inflacioni mesatar arriti 1.6 përqind në vitin 2020, kryesisht për shkak të ndërprerjeve në zinxhirin e furnizimit gjatë periudhës së izolimit. Kontribuesi më i madh në inflacion kanë qenë çmimet e ushqimeve. Megjithatë, me heqjen e disa masave kufizuese në maj, këto efekte filluan të zbuten.
Me një inflacion në nivele të ulëta, politika monetare ishte akomoduese: Banka e Shqipërisë (BSH) uli normën e politikës monetare dhe injektoi likuiditet në sistemin bankar. Si kundërpërgjigje ndaj goditjes së COVID-19 në ekonomi, BSH uli sërish normën bazë të interesit me 50 pikë bazë, duke arritur një minimum të ri historik prej 0.5 përqind. Në përgjigje të pandemisë, BSH ndërmori masa të tilla lehtësuese si moratoriumet, ristrukturimi dhe klasifikimi i kredive, disa prej të cilave do të vazhdojnë deri në pranverën e vitit 2021. Efektet e krizës mbi cilësinë e portofolit të kredive pritet të qartësohen edhe më shumë në gjysmën e dytë të vitit 2021, me një rritje të mundshme të kredive me probleme. Deficiti i llogarisë korrente u rrit në 8.9 përqind të PBB-së në vitin 2020 ndërsa deficiti tregtar në terma nominalë u zgjerua. Remitancat vijuan të hyjnë në vend, pavarësisht krizës në vendet e BE-së ku jetojnë emigrantët.
Pakësimi i fluksit të turistëve, ulja e porosive të përpunimit të tekstileve si dhe ulja e çmimeve të naftës çoi në rënie të eksporteve me 28.6 përqind në terma vjetorë. Investimet e huaja direkte (IHD) dhe huamarrja e qeverisë në nivele të konsiderueshme, përfshirë financimet komerciale dhe nga institucionet financiare ndërkombëtare, financuan llogarinë korrente ndërsa IHD-të ranë në 6.9 përqind të PBB-së. Perspektiva Ekonomike dhe Rreziqet Në rast se do të duhen disa vite deri në përfundim të procesit të vaksinimit në të gjithë botën, ka të ngjarë që turizmi dhe udhëtimet të mbeten të kufizuara. Në këtë rast, PBB-ja në vitin 2021 do të rritet me rreth 4.4 përqind si rezultat i rimëkëmbjes së eksporteve, konsumit dhe investimeve. Sektori i shërbimeve, i udhëhequr nga turizmi, dhe ndërtimi pritet të jenë nxitësit kryesor i rimëkëmbjes, pjesërisht falë investimeve në procesin e rindërtimit, siç ka ndodhur pas katastrofave të ngjashme natyrore në ekonomitë në zhvillim.
Në vitet e ardhshme, rritja do të varet gjithnjë e më shumë nga konsumi privat, duke mbështetur përpjekjet e rindërtimit. Investimet private do të kontribuojnë në rritje për sa kohë që qeveria do të vijojë reformat për përmirësimin e klimës së biznesit dhe do të rritet aksesi i biznesit në financa.
Pas vitit 2021, hapësira e kufizuar fiskale ka të ngjarë të çojë në pakësim të shpenzimeve qeveritare. Situata fiskale mund të përkeqësohet nëse mbledhja e të ardhurave nuk rritet.
Në këtë rast, qeverisë mund t’i duhet të ulë shpenzimet kapitale për të mbajtur nën kontroll raportin e borxhit ndaj PBB-së.
Defiçiti i llogarisë korrente pritet të ngushtohet në 7.7 përqind të PBB-së në 2021 duke u ulur më tej në 6.4 përqind, në linjë me trendin e periudhës para krizës dhe nxitur nga përmirësimet e parashikuara në bilancin tregtar.
Shkëputur nga Raporti Ekonomik për vendet e Ballkanit Perendimor nga Banka Botërore