Sot, në datën 17 janar 2022, Banka e Shqipërisë hedh në qarkullim dy prerjet e radhës së serisë së re të kartëmonedhave shqiptare me kurs ligjor, 500 Lekë dhe 2000 Lekë.
Të dyja kartëmonedhat vijnë me një dizajn të rifreskuar, por ruajnë të njëjtat motive të paraqitura në prerjet ekzistuesepërkatëse. Ato pasqyrojnë ndryshime të lidhura me konfigurimin në tërësi të elementeve të shtuara dhe të përmirësuara të dizajnit dhe të sigurisë së kartëmonedhave.
Me këto dy kartëmonedha, Banka e Shqipërisë plotëson hedhjen në qarkullim të serisë së re të kartëmonedhave, e cila përbëhet nga 6 prerje: 200, 500, 1000, 2000, 5000 dhe 10000 Lekë. Kartëmonedhat e reja përdoren si mjete pagese, së bashku me kartëmonedhat ekzistuese të të gjitha prerjeve.
Banka e Shqipërisë i inkurajon përdoruesit të jenë të përgjegjshëm dhe të kujdesshëm në trajtimin e çdo kartëmonedhe që mbajnë në dorë, për të ruajtur jetëgjatësinë, cilësinë dhe integritetin e tyre.
Njëkohësisht, Banka e Shqipërisë iu kujton se monedha jonë nuk është as e vjetër e as e re, por është thjesht Lek! Vlera e lekut duhet lexuar siç shkruhet në kartëmonedhë.