Instituti i Statistikave ka publikuar Bilancin e energjisë për tremujorin e parë të vitit 2022, ku vlerëson uljen e prodhimit neto vendas të energjisë elektrike me 39,7% dhe rritjen më shumë se 7 herë të importeve bruto të saj.
“Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë u ul me 39,7% duke arritur vlerën 2.016 GWh nga 3.344 GWh energji të prodhuar në tremujorin e parë të vitit 2021. Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 52,8%, nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 46,7% dhe nga të tjerë prodhues (Fotovoltaik) në masën 0,5% të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.
Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje), në tremujorin e parë të vitit 2022, arriti vlerën 715 GWh nga 99 GWh që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar kështu një rritje me 7,2 herë. Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) arriti vlerën 373 GWh nga 1.147 GWh duke shënuar një rënie me 67,5%“, thuhet në bilanc.
Sipas INSTAT hidrocentralet publike, në tremujorin e parë të vitit 2022, prodhuan 1.065 GWh nga 1.890 GWh të prodhuar në tremujorin e parë të vitit 2021, duke shënuar kështu një rënie të prodhimit me 43,7%.
Hidrocentralet private dhe koncensionare, prodhuan 942 GWh nga 1.446 GWh të prodhuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rënie të prodhimit të energjisë elektrike me 34,9%.
Shkëmbimi i energjisë elektrike (diferenca mes eksportit dhe importit bruto të energjisë), në tremujorin e parë të vitit 2022 ka arritur vlerën negative prej 342 GWh, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2021 ku kishte një vlerë pozitive prej 1.047 GWh.
“Humbjet në rrjet arritën vlerën 583 GWh nga 617 GWh duke shënuar kështu një rënie me 5,5%. Humbjet në transmetim kanë rënë me 35,6% ndërsa humbjet në shpërndarje kanë rënë me 1,4%. Humbjet teknike në shpërndarje kanë shënuar një rënie me 0,3%, ndërsa humbjet jo teknike në shpërndarje kanë shënuar një rënie me 3,5%, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2021”, shkruan raporti i INSTAT.
Bilanci reflekton një rritje të përdorimit të energjisë nga familjarët në tremujorin e parë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërkohë që e njëjta tendencë edhe pse më e lehtë vihet re tek konsumatorët biznes.
“Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, në tremujorin e parë të vitit 2022, u rrit me 5,7% duke arritur vlerën 1.775 GWh nga 1.680 GWh që ishte në tremujorin e parë të vitit 2021. Ndikimin më të madh në rritjen e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët e kanë dhënë konsumatorët familjarë, ku kemi një rritje të konsumit të energjisë elektrike me 8,1%, përkundrejt rritjes me 2,9% të energjisë së konsumuar nga konsumatorët jo familjarë”, thuhet në bilanc.