Në kohën kur komiteti teknik i ekspertëve vendosi që nga 1 qershori të lehtësoheshin masat anti-covid duke shtyrë orën policore me një orë dhe duke hequr maskat në publik; biznesi shpreh pakënaqësi për kufizimet që vazhdojnë.
Në një njoftim për mediat Konfederata e Industrive shprehet: “Mbështetur në zhvillimet e fundit dhe shqetësimet e biznesit, i kërkon ekzekutivit, që të lehtësojë masat anti-covid në fuqi, të vendosura në fund të muajit maj 2021 nga Komiteti i Ekspertëve.Është e papranueshme, që Komiteti i Ekspertëve të marrë vendime më afatgjata dhe larg zhvillimeve dinamike të përditshme, sikurse janë masat e fundit ndaluese për biznesin dhe qytetarët për muajt qershor dhe korrik, që përbëjnë gjysmën e kohës së sezonit turistik 2021.”
Sipas përfaqësuesve të biznesit në kohën kur shifrat e infektimeve janë minimale, masat në fuqi nuk janë të nevojshme.
“Në rradhë të parë, kërkohet heqja e plotë e orës policore nga 23:00-06:00, për të bërë të mundur qarkullimin pa pengesa në territor. Është e arsyeshme, që qytetarët dhe bizneset të mos kenë asnjë pengesë, qoftë edhe thjesht burokratike, të jenë të lirë të lëvizin pa kufizime kohore të papërligjura. Gjithashtu, kërkohet që të rishikohet drejt zgjerimit deri në heqje të plotë të kufizimeve kohore për aktivitetet e biznesit.”- thuhet në njoftimin e Konfindustrias.
Konfindustria vlerëson se përmirësimet e ndjeshme në pasojat shëndetësore të Covid19, me zbritjen në zero të humbjes së jetës, ulja e të prekurve në kufij të papërfillshëm dhe vazhdimi krahësimisht i suksesshëm në shkallë rajonale i vaksinimit të popullatës, e bën të arsyeshme lehtësimin e masave kufizuese të sotme. Sipas kësaj përfaqësie biznesi është e rëndësishme që sezoni turistik i vitit 2021 të jetë i suksesshëm për ekonominë kombëtare të prekur rëndë nga pasojat e Covid19, tërmetit të vitit 2019 dhe problematikat e rënda thelbësore të sistemit.
Lehtësimi i arsyeshëm i masave antipandemi është një masë e rendësishme marketingu për suksesin e shumëpritur të sezonit turistik./ProBizz.al/