Probizz.al sjell historinë e një tjetër të riu shqiptar që jeton në Austri dhe ngriti platformën Synaps. Brendon Ahmeti tregon se si lindi ideja e këtij startup-i dhe pse është konkurues në tregun europian .
1. Pse zgjodhët Austrinë dhe jo një vend tjetër për të emigruar?
Pas përfundimit të shkollës së mesme në Tiranë, po vlerësoja disa opsione për të kryer studimet e larta në Arkitekturë. Vjena ishte opsioni më i logjikshëm për shkak të historisë që e ndërlidh me artin e ndërtimit, nivelit të meritokracisë që është në raport të drejtë me indeksin e mirëqenies dhe në përgjithësi aspektit kulturor të kururar ndër shekuj.
2. Çfarë është Synaps dhe sa e vështirë ka qenë për ju ta rrisnit si biznes?
Synaps është një platformë kolaborative për planifikim arkitekturor e cila është lindur nga nevoja dhe jo nga dëshira. Tashmë arkitektët, investitorët, inxhinierët, ndërtuesit, klientët dhe çdokush që merr pjesë në planifikimin e një objekti mund të punojnë live së bashku në të njëjtën platformë dhe i gjithë procesi dhe komunikimi është i protokolluar për të patur nën kontroll progresin.
Unë them gjithmonë që si i huaj në një shtet e nis karrierën jo në zero por në një lloj minusi në krahasim me vendasit. Për më tepër, për të krijuar një startup dhe të ndërmarrë risqe të këtij niveli është komoditet i rrallë. Për të arritur këtë lloj komoditeti mua dhe dy partnerëve të mi, të cilët po ashtu vijnë nga Shqipëria, na është dashur që afërsisht për një dekadë të ngjisim shkallët sociale dhe të përgatitemi për një nismë me impakt kaq rrënjësor në industrinë e dytë më të madhe në botë. Synaps është akoma në fillimet e tij duke marrë parasysh vizionin tonë global, megjithatë interesi nga korporatat e investimeve dhe investitorët privat është në një nivel shumë të lartë për shtete si Austria por edhe për gjithë Evropën.
3. Më çfarë konkuron ne treg, cilësitë që ka Synaps në raport me rivalët e tij?
Synaps konkuron me rivalë të cilët janë në treg mbi 40 vjet, të konsoliduar dhe me të ardhura vjetore mbi 5 miliardë euro. AutoCAD dhe Revit janë programet lider aktualisht në planifikimin arkitekturor por nuk kanë evoluar me risitë teknologjike në treg. Vitet e fundit, po përjetojmë një trend të ri të kolaborimit virtual që nisi me kompani si Figma ose Miro. Ky trend po përhapet në shumë sektor të ndryshëm dhe në sektorin e ndërtimit dhe planifikimit arkitekturor ne jemi të parët që po e sjellim. Bëhet fjalë për koncepte të cilat na veçojnë nga kompanitë e tjera në treg dhe këto janë kolaborimi live, përdorimi hiper-intuitiv dhe rritja e performancës nëpërmjet aksesit në browser. Konkurentët nuk mund të adaptojnë një platformë të ngjashme pasi programet ekzistente janë të bazuara në teknologji të ndërtuara 40 vite më parë dhe integrimi i teknologjive moderne është shumë kompleks.
4. Ky biznes mund të zhvendoset një ditë në Shqipëri apo është thjesht dhe vetëm e pamundur të ndodhë?
Për të zhvendosur filialin bazë në Shqipëri është një pyetje e cila është tepër herët për tu përgjigjur. Ben sens ekonomik nëqoftëse ndërlidhen një sërë pikash. Forca punëtore duhet të jetë në të njëjtin standard profesional me shtete të tjera evropiane ose perëndimore, iniciativat shtetërore si grante publike të jenë suportive ndaj ndërmarrjeve, atraksioni i investitorëve global duhet të jetë në një standard të lartë dhe taksimi duhet të jetë në raport të drejtë me infrastrukturën e nevojshme të bizneseve. Nga ana tjetër, për të hyrë në tregun shqiptar si biznes i huaj, është në planet tona për të ardhmen e afërt. Edhe pse tregu i ndërtimit në Shqipëri është tepër konservator dhe jo mikprites ndaj inovacionit teknologjik, mendoj që në 10 vitet e ardhshme do sensibilizohet dhe do kuptojë që ndryshimi është domosdoshmëri për mbijetëse.
5. Çfarë të mungon nga atdheu?
Normalisht i bashkohem stereotipit se familja është ajo që më mungon fizikisht, por nga ana konceptuale mendoj se më mungon “zhurma”. Më mungon zhurma e brohoritjeve në market, zhurma e furgonave tëksa nisen herët në mëngjes, zhurma e borive nëpër rrugë ose të qeshurat e të rinjve nëpër kafene. Është një virtyt mesdhetar i cili ndërlidhet me çlirimin e tensionit emocional dhe kjo e bën atë vend shumë më të gjallë. Gjallëri e cila mungon në një shtet si Austria.
Përshkrim për Synaps:
Pavarësisht pranisë gjithëpërfshirëse, vlera e arkitekturës shpesh injorohet. Ne banojmë, punojmë, ecim dhe luajmë në hapësira arkitekturore çdo ditë, megjithatë krijimi i këtyre hapësirave mbetet një proces tepër kompleks. Synaps u krijua për ta ndryshuar këtë gjë, duke thjeshtuar planifikimin arkitekturor nëpërmjet bashkëpunimit virtual dhe duke e bërë atë 10 herë më efektiv.
Synaps është aplikacioni i parë intuitiv për planifikim arkitekturor kolaborativ që shërben për një gamë të gjerë përdorimesh, nga skicimi i produkteve të reja ose mobiljeve deri te projektimi i planimetrive dhe vizatimeve të ndryshme arkitekturore gati për përdorim.