Banka e Shqipërisë ka emëtuar një monedhë përkujtimore për Nënë Terezën
“Në sajë të përkushtimit dhe dashurisë së pakufishme që ajo u dhuroi komuniteteve në nevojë, Nënë Tereza mbetet një nga gratë më të admiruara në botë. Në nder të kësaj figure shqiptare, kontributi i të cilës ka ende edhe sot jehonë të jashtëzakonshme në të gjithë globin, në vitin 2012, Banka e Shqipërisë emetoi një monedhë përkujtimore” shkruan Banka e Shqipërisë në facebook.
Ana e përparme: në qendër të monedhës qëndron një pëllumb i stilizuar në fluturim, si simbol i paqes. Ngjyra e pëllumbit dhe ajo e shiritave harkorë e harmonikë, që mbyllin formën rrethore të monedhës, është e njëjtë me atë të shamisë, në pamjen pas të monedhës. Në pjesën e poshtme, shkruhet vlera emërore, 200 Lekë. Në hark sipër, në formë simetrike, dy degë ulliri, si simbol i paqes që Nënë Tereza përcolli midis njerëzve.
Ana e prapme: në qendër të monedhës është vendosur portreti i Nënë Terezës. Mbi portret shkruhet “NËNË TEREZA” dhe vitet e lindjes e të vdekjes. Poshtë portretit shkruhet emri i lindjes “Anjezë Gonxhe Bojaxhiu” dhe në hark poshtë “SHQIPËRI – ALBANIA 2012”.