Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) u rrit me 3.9 pikë në muajin maj, duke vijuar rritjen prej shtatë muajsh.
Sipas Bankës së Shqipërisë, niveli aktual i këtij treguesi është më i larti i regjistruar ndonjëherë dhe qëndron 18.6 pikë mbi mesataren historike.
Rritja e treguesit të agreguar reflekton sidomos rritjen mjaft të lartë të besimit në sektorin e shërbimeve, por edhe në sektorët e industrisë, të ndërtimit dhe të tregtisë. Nga ana tjetër, besimi konsumator ka regjistruar rënie të lehtë këtë muaj.
Treguesi i besimit në shërbime u rrit me 11 pikë përqindje në maj, duke regjistruar vlerën më të lartë historike. Niveli i këtij treguesi qëndron aktualisht 29 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë. Kontributin kryesor në rritje e dhanë vlerësimet optimiste të bizneseve për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre. Edhe komponenti i dytë, niveli i kërkesës, është vlerësuar me rritje këtë muaj.
Gjithashtu, vlerësimi për situatën aktuale dhe pritjet e bizneseve për nivelin e punësimit janë me rritje. Pritjet e tyre për ecurinë e çmimeve në të ardhmen janë rritur në krahasim me një muaj më parë.
Treguesi i besimit në ndërtim u rrit me 5.3 pikë përqindje në muajin maj, duke shënuar edhe këtë muaj vlerën më të lartë historike. Aktualisht, ai qëndron 34.5 pikë përqindje mbi nivelin e mesatares afatgjatë.
Rritja e treguesit reflekton vlerësimet optimiste të aktivitetit aktual ndërtues dhe të nivelit të porosive aktuale. Pritjet për punësimin dhe për çmimet në të ardhmen kanë regjistruar rënie në krahasim me një muaj më parë.
Treguesi i besimit të industrisë u rrit me 2.6 pikë përqindje në muajin maj, i ndikuar pozitivisht nga vlerësimet në rritje për prodhimin aktual. Vlera e këtij treguesi aktualisht qëndron në nivelin më të lartë historik, rreth 19 pikë përqindje mbi mesataren historike.Megjithatë, kontratat porositëse janë vlerësuar me rënie këtë muaj. Gjithashtu, pritjet e bizneseve të industrisë për prodhimin dhe për punësimin në të ardhmen janë në ulje. Pritjet e tyre për çmimet që do të vendosin në të ardhmen kanë mbetur pothuaj të pandryshuara nga muaji i mëparshëm.
Treguesi i besimit në tregti regjistroi rritje të lehtë me 1.6 pikë përqindje në muajin maj. Niveli aktual i TBT-së qëndron 14 pikë përqindje mbi mesataren historike.
Burimi: Banka e Shqipërisë