Evropa dhe SHBA përballen me një gjasë të lartë recesioni pasi bankat qendrore janë të detyruara të shtrëngojnë në mënyrë agresive politikën monetare për të luftuar inflacionin, sipas CEO të Deutsche Bank, Christian Sewing.
Rezerva Federale e SHBA-së, Banka Qendrore Evropiane, Banka Kombëtare e Zvicrës dhe Banka e Anglisë, të gjitha lëvizën për të frenuar inflacionin javën e kaluar, megjithëse në shkallë të ndryshme.
Inflacioni i çmimeve të konsumit në eurozonë arriti një rekord të ri prej 8.1% në maj dhe BQE ka konfirmuar synimin e saj për të filluar rritjen e normave të interesit në mbledhjen e saj të korrikut.
Drejtuesit e bankave qendrore dhe ekonomistët në mbarë botën kanë pranuar se shtrëngimi agresiv që mund të jetë i nevojshëm për të frenuar inflacionin mund të rrezikojë t’i kthejë ekonomitë në recesion, me rritjen tashmë të ngadalësuar për shkak të një ndërthurjeje të faktorëve globalë.
Afërsia e Evropës me luftën në Ukrainë dhe mbështetja e saj në importet ruse të energjisë e bëjnë kontinentin në mënyrë unike të cenueshme ndaj konfliktit dhe një ndalim të mundshëm të rrjedhave të gazit rus.
“Një gjë është e qartë: nëse ka një ndalim të papritur të gazit rus, gjasat që një recesion të vijë më shpejt është padyshim shumë më i lartë. Nuk ka dyshim,” i tha Sewing Annette Weisbach të CNBC në një intervistë ekskluzive.
“Por unë do të thosha se në përgjithësi, ne kemi një situatë kaq sfiduese sa që probabiliteti i një recesioni edhe në Gjermani, ose në Evropë në 2023 ose një vit më pas, është më i lartë se sa e kemi parë në cilindo nga vitet e mëparshme, dhe se nuk është vetëm ndikimi i kësaj lufte të tmerrshme, por shikoni inflacionin, shikoni se çfarë do të thotë kjo për politikën monetare.”
Së bashku me inflacionin që rrjedh nga lufta në Ukrainë dhe sanksionet shoqëruese ndaj Rusisë, zinxhirët e furnizimit janë penguar gjithashtu nga kërkesa e ringjallur pas pandemisë dhe kthimi i masave të kontrollit të Covid-19, veçanërisht në Kinë.
“Kjo është një situatë kaq sfiduese saqë ne kemi tre, katër shtytës të cilët mund të ndikojnë rëndë në ekonomi, dhe të gjitha këto duke u bashkuar në të njëjtën kohë do të thotë se ka mjaft presion dhe shumë presion mbi ekonominë, dhe për rrjedhojë gjasat që një recesion të vijë në Evropë, por edhe në SHBA, janë mjaft të larta”, tha Sewing.
Sewing: Inflacioni ‘më shqetëson më së shumti’
Duke pasur parasysh këtë ndërthurje sfidash, Sewing tha se ai nguron gjithnjë e më shumë të mbështetet në modelet tradicionale pasi ekonomia përballet me një “stuhi të përsosur” prej “tre ose katër levash reale që mund të shkaktojnë, në fund të ditës, një recesion”.
Sewing tha se inflacioni ishte megjithatë shqetësimi më i madh.
“Unë do të thosha se inflacioni është diçka që më shqetëson më shumë dhe prandaj mendoj se sinjali që morëm nga bankat qendrore, qoftë Fed por tani edhe BQE, është sinjali i duhur,” tha ai.
“Ne duhet të luftojmë inflacionin sepse në fund të fundit, inflacioni është helmi më i madh për ekonominë.”
Burimi: CNBC