Drejtori i Përgjithshëm i Pfizer tha të mërkurën se ai “nuk do të shqetësohej shumë” për një shpërthim të fundit të lisë së majmunëve që ka parë rritje të rasteve në vendet jo-endemike.
Albert Bourla i tha CNBC se të dhënat aktuale mbi sëmundjen sugjerojnë se ajo nuk transmetohet aq lehtë sa viruset e tjera, si Covid-19, dhe se nuk ka gjasa të çojë në një pandemi.
“Nuk i kam të gjitha informacionet përpara meje. Me gjithçka që di, nuk do të shqetësohesha shumë”, tha ai në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.
“Kjo nuk do të thotë se ne duhet të relaksohemi,” megjithatë, vazhdoi ai. “Unë mendoj se ne duhet të monitorojmë se ku shkon situata.”
Lija e majmunëve është një infeksion i rrallë viral që është endemik në Afrikën Qendrore dhe Perëndimore. Ai përhapet përmes kontaktit të ngushtë me njerëz, kafshë ose material të infektuar me virusin, me simptoma që përfshijnë skuqje, ethe, dhimbje koke, dhimbje muskulore, ënjtje dhe dhimbje shpine.
Ndërsa shumica e rasteve janë të lehta, zakonisht zgjat nga dy deri në katër javë, ekspertët e shëndetit janë habitur nga rritja e fundit në vendet pa histori të sëmundjes dhe pacientët pa lidhje udhëtimi me vendet endemike.
Që nga e mërkura, të paktën 237 raste të konfirmuara dhe të dyshuara të lisë së majmunëve ishin raportuar në vende jashtë Afrikës, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe – shteti i parë i Gjirit që raportoi një rast.
Bourla vuri në dukje se disponueshmëria e trajtimeve ekzistuese paraqet arsye për optimizëm. Vaksinimet kundër lisë janë dëshmuar 85% efektive kundër lisë së majmunëve dhe tashmë Franca dhe Danimarka po shqyrtojnë fushata të synuara të vaksinimit për ata që janë më të rrezikuar nga transmetimi i sëmundjes.
Vendet më të varfra në botë do të marrin ilaçe me kosto të ulëta
Në një njoftim të veçantë të mërkurën, Pfizer tha se do t’i vërë në dispozicion të gjitha ilaçet e saj të patentuara me një çmim jofitimprurës për vendet më të varfra në botë.
“45 vende, 1.2 miliardë njerëz do të marrin të gjitha produktet tona të patentuara me kosto,” tha Bourla.
Gjigandi farmaceutik tha se plani mbulon 23 ilaçe dhe vaksina të patentuara plotësisht për sëmundjet infektive, disa kancere dhe disa sëmundje të tjera të rralla dhe infektive.
Portofoli i barnave përfshin vaksinën Covid-19 të Pfizer, Comirnaty, e zhvilluar me BioNTech, për të cilën Bourla tha se do të përdorej menjëherë.
Gjithashtu në listë janë përfshirë trajtimi i kompanisë për Covid-19 Paxlovid dhe ilaçi për kancerin e gjirit Ibrance, si dhe vaksina e pneumonisë Prevnar 13, ilaçi i artritit reumatoid Xeljanz dhe trajtimet e kancerit Xalkori dhe Inlyta.
Medikamente dhe vaksina të tjera do t’i shtohen listës kur ato të lançohen.
Nëpërmjet programit, Pfizer tha se synon të përmirësojë lehtësinë dhe shpejtësinë e aksesit ndaj ilaçeve jetike për vendet më të varfra.
Bourla tha se realizon qëllimin e kompanisë, të përcaktuar kur ai mori drejtimin në vitin 2019, për të “ulur me 50% numrin e njerëzve në planet që nuk mund të përballojnë ilaçet e tyre” deri në vitin 2023.
“Sot do ta arrijmë këtë”, tha ai, duke shtuar se aksionerët “duhet të mendojnë se po bëjmë gjënë e duhur”.
Burimi: CNBC