Në datën 20 mars 2023, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u çel Java e Parasë për vitin 2023, gjatë së cilës do të organizohen aktivitete të ndryshme.
Kjo Javë është një festë mbarëbotërore e parasë që ka për qëllim ndërgjegjësimin e fëmijëve dhe të rinjve për të qenë qytetarë të ardhshëm të përgjegjshëm dhe të aftë për të marrë vendime financiare të mirëmenduara.
Gjatë javës 20-26 mars 2023, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, organizojnë aktivitete të larmishme për fëmijët dhe të rinjtë. Në thelb të këtyre aktiviteteve qëndron edukimi financiar, më konkretisht: si të kujdesen për paratë, si të kursejnë, si të mendojnë financiarisht. Këto do të realizohen nëpërmjet pjesëmarrjes së tyre në leksione, konkurse, vizita në Muzeun e Bankës së Shqipërisë dhe orë të hapura mësimore.
Aktivitetin çelës të Javës së Parasë 2023 e përshëndetën z. Gent Sejko, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zj. Evis Kushi, Ministre e Arsimit dhe Sportit dhe z. Bledar Shella, Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bankave.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Guvernatori Sejko u shpreh se Banka e Shqipërisë, me bashkëpunimin e Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe falë mbështetjes tepër të vyer të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, si dhe partnerëve të tjerë, ka organizuar ndër vite aktivitete edukative dhe ndërgjegjësuese për grup-moshat e nxënësve të arsimit parauniversitar dhe atij universitar. “Në këtë javë, synimet tona konvergojnë më shumë se kurrë me ato të institucioneve arsimore dhe organizatave të shoqërisë civile, për rritjen e njohurive financiare dhe ndërgjegjësimin e brezit të ri për të qenë qytetarë të përgjegjshëm financiarisht në të ardhmen.“- theksoi Guvernatori.
Ai nënvizoi gjithashtu moton e aktivitetit “Administro paratë e tua, kultivo të ardhmen tënde!”, duke theksuar edhe njëherë rëndësinë e një përqasjeje të kujdesshme e proaktive ndaj parasë, për siguruar një të ardhme të begatë për te rinjtë duke i pajisur me njohuritë e duhura mbi një treg financiar gjithnjë e më të pasur me risi.
Më tej, Guvernatori Sejko u shpreh se Banka e Shqipërisë e ka shndërruar kulturën dhe përfshirjen financiare në një prej objektivave të rëndësishëm të mandatit të saj, duke e bërë pjesë integrale të detyrave të saj institucionale. Në këtë kuadër, në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe të gjithë partnerët e brendshëm, është punuar për hartimin e Strategjisë Kombëtare të Edukimit dhe Përfshirjes Financiare (SKEPF), që përshkruan parimet dhe objektivat e përgjithshëm të edukimit dhe përfshirjes financiare.
Synimi i strategjisë kombëtare është t’i sjellë të gjitha institucionet e interesuara në rang kombëtar brenda një strukture ndërinstitucionale me një objektiv dhe program të koordinuar, për rritjen e kulturës dhe përfshirjes financiare në fushat që ato mbulojnë.
Një dokument i tillë, i përshtatur me nevojat e vendit për edukim financiar, do të ndihmojë në bashkërendimin e veprimeve dhe përgjegjësive të aktorëve të ndryshëm, në rritjen e efektivitetit për arritjen e objektivave.
Strategjia do të përcaktojë objektivat, instrumentet, planet e veprimit, burimet e financimit, monitorimin dhe vlerësimin, si dhe raportimin e progresit të arritur, për secilin nga institucionet tona. “Jemi të sigurt se ky do të jetë një hap cilësor që do t’i bëjë më të frytshme të gjitha programet dhe iniciativat tona në fushën e edukimit financiar, përfshirë edhe Javën e Parasë, për të cilën jemi mbledhur sot.” përfundoi Guvernatori Sejko.
Më tej aktiviteti vijoi me ceremoninë e ndarjes së çmimeve për fituesit 5 konkurseve të para të organizuara nga Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave me rastin e Javës së Parasë.
Konkursi i parë është ai i “Vizatimit më të mirë”, në të cilin ftuam nxënësit e klasave III të paraqisni konceptin e tyre të administrimit të parasë. Në këtë konkurs u paraqitën për konkurrim më shumë se 350 vizatime nga më shumë se 70 shkolla 9-vjeçare nga e gjithë Shqipëria.
Konkursi i dytë i organizuar është ai i “Projektit më të mirë”, në të cilin klasat IV u ftuan të merrnin pjesë përmes krijimit të projekteve me temën e Javës Globale të parasë. Nxënësit e 46 klasave nga 38 shkolla të vendit u angazhuan në trajtimin e temës në një projekt fizik (në formën e një këndi në ambientet e klasës apo shkollës etj.) ose interpretativ (në formën e një shfaqjeje, prezantimi etj.), dhe e prezantuan projektin e tyre përmes një videoje të shkurtër.
Konkursi i tretë ishte ai i “Fotomontazhit më të mirë”, për pjesëmarrjen në të cilin nga nxënësit e klasave VIII u kërkuan që, individualisht apo në grup, të zbërthejnë mesazhin e temës së Javës së Parasë, nëpërmjet imazheve dhe diçiturave. Në konkurs morën pjesë 65 nxënës me 61 punime, nga 50 shkolla të vendit.
Konkursi i katërt i organizuar këtë vit është i “Videos më të mirë”. Nxënësit gjimnazistë u ftuan të përcillnin me origjinalitet mesazhet e tyre për temën me temë “Administro paratë e tua, kultivo të ardhmen tënde!”, përmes një videoje prej jo më të gjatë se 2 minuta. Videoja mund të ishte produkt i punës individuale ose në grup. Gjithsej në konkurs u paraqitën 69 video, të realizuara nga 97 nxënës të 47 shkollave të mesme të vendit, prej të cilave u shpallën 3 fitues.
Konkursi i pestë i organizuar është ai i esesë më të mirë me temë ““Ndryshimet klimatike – përse janë të rëndësishme për sektorin financiar në Shqipëri?” (për studentë, Dega e Ekonomiksit/ Financë-Bankë)”. Studentët u ftuan të realizojnë ese argumentuese jo më të gjata se 1500 fjalë, duke përmbushur kriteret e shkrimit akademik. Në këtë konkurrim u paraqitën 10 ese nga 7 universitete të vendit.
Burimi: Banka e Shqiperise