Danimarka thotë se do të rrisë energjinë e saj të planifikuar të erës në det të hapur për të ndihmuar Evropën të kufizojë varësinë e saj nga gazi rus.
Projekti do të lidhet me rrjetin gjerman dhe duhet të jetë në gjendje të furnizojë me energji elektrike 4.5 milionë shtëpi evropiane në vitin 2030.
Një kabllo nënujore prej 470 kilometrash pritet të kalojë nga ishulli danez Bornholm në Gjermaninë veriore përmes Detit Baltik.
Ministri gjerman i Ekonomisë dhe Klimës, Robert Habeck e përshkroi propozimin si një “projekt kryesor”.
“Me projekte të tilla mes partnerëve evropianë, ne arrijmë dy qëllime kyçe në të njëjtën kohë; sigurinë evropiane të energjisë dhe neutralitetin klimatik,” shtoi ai.
Aktualisht, Danimarka dhe Gjermania kanë kapacitete përkatëse të energjisë së erës në det të hapur prej 1.5 gigavat dhe 1 gigavat.
Por marrëveshja e re, e shpallur në Kopenhagë të hënën, do të rrisë kapacitetin danez të energjisë së erës në Detin Baltik në 3 gigavat.
Ministri i Energjisë i Danimarkës, Dan Jørgensen, ka thënë se “bashkëpunimi ndërkombëtar është më urgjent se kurrë më parë” për të reduktuar më tej emetimet e gazrave serrë dhe për ta bërë Evropën të pavarur nga gazi dhe nafta ruse.
Të premten, ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock tha se era nga Deti Baltik mund të prodhojë “më shumë se dyfishin e kapacitetit të instaluar të të gjitha termocentraleve gjermane me qymyr“.
Vendet e Detit Baltik “duhet të vendosin velat, të punojnë së bashku dhe të vendosin rrugën drejt bërjes së rajonit tonë më të qëndrueshëm, më elastik dhe më të sigurt“, tha Baerbock.
Kancelari gjerman Olaf Scholz ka mbetur i përkushtuar për t’i dhënë fund emetimeve të gazeve serrë të vendit deri në vitin 2045, përpara çdo vendi tjetër të madh të industrializuar.
Për të arritur qëllimin, qeveria e Scholz ka thënë se do të mbyllë termocentralet me qymyr që u riaktivizuan për shkak të luftës në Ukrainë, do t’i japë fund importeve të naftës dhe qymyrit rus këtë vit dhe do të synojë të ndalojë përdorimin e gazit rus brenda dy viteve të ardhshme.
Njoftimi i së hënës vjen një ditë përpara një samiti energjetik në Kopenhagë për të diskutuar mënyrat “për ta bërë rajonin e Detit Baltik të lirë nga energjia ruse dhe në të njëjtën kohë për të hapur rrugën për një tranzicion të rëndësishëm të gjelbër”.
Burimi: Euronews