Rezultatet e anketimit vjetor të Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) për klimën e biznesit dhe investimeve në Shqipëri
Në anketimin mbi klimën e biznesit, i cili u plotësua nga kompanitë anëtare të DIHA-s në periudhën shkurt-mars 2024, situata aktuale ekonomike në Shqipëri vlerësohet në rritje nga viti i kaluar, ku vihet re se 45% e kompanive e vlerësojnë situatën ekonomike si “të kënaqshme”. Gjithashtu, 22% e të anketuarve e vlerësojnë situatën me “mirë”, dhe 33% e të anketuarve e vlerësojnë atë negativisht. (2023: 18%, 36%, 45%).
Pritshmëritë për situatën ekonomike në vend vijojnë të mbeten afërsisht në të njëjtat nivele me vitin e kaluar, ku 22% e të anketuarve vlerësojnë pritshmëritë për situatën ekonomike me “mirë”, 51% e kompanive vlerësojnë si “të pandryshuar“, ndërsa 27% e tyre e vlerësojnë negativisht (2023: 25%, 45%, 30%).
Situata ekonomike e sektorit vlerësohet gjithashtu afërsisht e njëjtë me vitin e kaluar, ku 24% e të anketuarve e vlerësojnë me “mirë”, ndërkohë që 38% e vleresojnë si ’’të kënaqshme’’ dhe 38% e vlerësojnë negativisht. (2023: 27%, 41%, 32%). Pritshmëritë për situatën ekonomike sipas sektorit vlerësohen nga 30% e të anketuarve në rritje, nga 48% si ’’të pandryshuar’’ dhe nga 22% vlerësohen negativisht. (2023: 34%, 39% dhe 27%)
Për sa i përket ecurisë së pritshme të të ardhurave të biznesit të tyre, 32% e të anketuarve presin rritje të të ardhurave, ndërkohë që 30% mendojnë se ato do të qëndrojnë të pandryshuara. Ajo që vihet re, në ndryshim me dy vitet e kaluara, është se një përqindje e lartë prej 38% besojnë se të ardhurat e biznesit të tyre do të ulen. (2023: 50%, 32%, 18%)
Situata për vetë bizneset vlerësohet nga27% e të anketuarve me“mirë”, 51% e kompanive e vlerësojnë si“të pandryshuar”, ndërsa 22% e tyre e vlerësojnë negativisht (2023: 39%, 41% , 20%).
Ecuria e investimeve kapitale, ecuria e eksporteve dhe zhvillimi i parashikuar i numrit të punonjësve, vlerësohen nga më shumë se gjysma e të anketuarve të qëndrojnë “të pandryshuara”, pra në një rritje të konsiderueshme, përkatësisht me 49%, 57% dhe 54% (2023: 41%, 40%, 48%).
Faktorët, të cilët ndikojnë në zgjedhjen e një destinacioni investimesh, të vlerësuar më pozitivisht në krahasim me vitin e kaluar përfshijnë infrastrukturën, disponueshmërinë dhe cilësinë e furnitorëve lokalë, negociatat për anëtarësimin në BE, arsimimin akademik si edhe fleksibilitetin në të drejtën e punës. Ndër faktorët e vlerësuar më negativisht vijojnë të renditen transparenca e tenderave publike, lufta kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, parashikueshmëria e politikave ekonomike, disponueshmëria e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe siguria ligjore.
Kjo përforcohet edhe nga përgjigjja ndaj pyetjes “Ku i shikoni rreziqet më të mëdha në zhvillimin ekonomik të kompanisë suaj në 12 muajt e ardhshëm?”, ku “Mungesa e forcës së punës” dhe ’’Kostot e punës’’ vlerësohen si rreziqet më të mëdha për biznesin.
Ambasadori Gjerman, z. Karl Bergner, tha në nisje të aktivitetit:
“Gjermania është një partner afatgjatë dhe i besueshëm i Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Zhvillimi ekonomik i vendit është në këtë rrugëtim po ashtu një përpjekje e madhe. Gjermania mbështet Shqipërinë në mënyrë intensive dhe gjithashtu në shumë nivele: përmes mbështetjes së integrimit rajonal të Shqipërisë, përmes këshillimit të Qeverisë Shqiptare në grup-kapitujt mbi tregun e brendshëm si pjesë e negociatave për anëtarësim në BE, përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë në sektorët e energjisë, ujit, zhvillimit të qëndrueshëm urban, arsimit profesional, startup-eve dhe inovacionit. Megjithatë, për të rritur atraksionin e Shqipërisë si vend për investime ekonomike edhe nga Gjermania, nevojiten përpjekje të vazhdueshme nga të gjitha palët në krijimin e një klime pozitive investimi si dhe sigurimin e një fushe loje të barabartë për investitorët.”
Presidentja e DIHA-s Zj. Stephanie Sieg-Farka theksoi se rezultatet e anketës së fundit ekonomike tregojnë se pritshmëritë e kompanive anëtare mbeten përgjithësisht të qëndrueshme, por mungesa e vazhdueshme e fuqisë punëtore dhe rritja e kostove të punës mbeten shqetësime kryesore për biznesin. Megjithatë, pavarësisht sfidave rajonale dhe globale, vendi duhet të vazhdojë të fokusohet tek integrimi në Bashkimin Evropian.