Rusia është bërë gjithnjë e më e izoluar nga pjesa tjetër e Evropës gjatë 30 viteve të fundit dhe hartat e kontinentit ilustrojnë se sa drastik ka qenë ndryshimi.
Finlanda dhe Suedia njoftuan këtë javë synimin e tyre për t’u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s, duke i dhënë fund një historie dekadash të neutralitetit ushtarak për të dy vendet. Planet e tyre erdhën pasi Rusia pushtoi Ukrainën në fund të shkurtit – gjoja për ta ndaluar atë nga anëtarësimi në NATO.
Rusia sulmoi për herë të parë Ukrainën në vitin 2014, pasi një kryengritje civile dëboi një udhëheqës pro-rus nga vendi. Ukraina kërkoi trajnime ushtarake dhe ndihmë nga vendet perëndimore më pas, por nuk ishte pranuar në NATO.
Vendet në NATO janë të detyruara me traktat të mbrojnë njëri-tjetrin. Ashtu si Ukraina, Finlanda ndan një kufi të gjatë me Rusinë.
Evropa në 1990
Në vitin 1990, një vit pas rënies së Murit të Berlinit, Bashkimi Sovjetik i dominuar nga Rusia përfshinte Ukrainën, shtetet baltike dhe disa vende të tjera tashmë të pavarura. Pakti i Varshavës, një aleancë e dominuar gjithashtu nga Rusia, përfshinte gjashtë vende satelite që janë të gjitha tani të pavarura.
Evropa në 2022
Gjatë 32 viteve të fundit, Gjermania është ribashkuar dhe të gjitha vendet e ish Traktatit të Varshavës janë anëtarësuar në NATO. Tre vende që dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik – Estonia, Letonia dhe Lituania – janë anëtarësuar gjithashtu në NATO.
Megjithëse Suedia dhe Finlanda duan të bashkohen me fqinjët e tyre nordikë në NATO, pranimi mund të zgjasë shumë muaj ose të bllokohet tërësisht.
Turqia, një anëtare e NATO-s që nga viti 1952, kundërshton pranimin e dy vendeve, duke i quajtur vendet skandinave “bujtina për organizatat terroriste”.
Burimi: CNBC