Trajnues që lindin brenda ditës, shfrytëzojnë përvojën, mundësinë dhe brand-in personal dhe network-un profesional për ftesa dhe kontraktim e që marrin përsipër të trajnojnë të tjerë në kinse trajnime motivuese, frymëzuese, suksesi, zhvillimi personal etj..
A kanë kuptim sot këto formate trajnimesh ku trajnuesi vetëshpallet “qendra e universit” dhe bind veten që është i tillë edhe pse i pa testuar dhe çertifikuar nga komisione dhe ente kombëtare dhe ndërkombëtare me tagër këtë vlerësim duke marrë përsipër të trajnojnë profesionistë?!
A ka kuptim kur trajnuesi në fjalë nuk është i gjithpranuar nga masa si model bazuar në arritjet, suksesin, reputacionin, integritetin, kontributin e rëndësishëm profesional dhe shkencor në fushën ku e ofron trajnimin, por është vetëm person publik..
A ka kuptim të përziehet marrja e një iniciative për qef me trajnimin kur në fakt në këtë kontekst përbën vetëm një aktivitet për fansat?!
A ka kuptim ta quajmë trajnim një takim me dashamirësit kur ai është thjesht transferim njohurish personale në formën e një këndvështrimi mbi objektin e aktivitetit por që nuk bazohet në të vërtetën e bazuar në fakte, argumente, prova dhe burime të pakontestueshme por përbën thjesht një përpjekje individuale përmes dogmave dhe ideologjive për të krijuar minimalisht simpatizantë dhe maksimalisht ithtarë..?!
A duhet të quajmë trajnim shitjen e promovimin e markës dhe brand-in personal përmes këtyre aktiviteteve të cilat në realitet janë veçse një riprodhim i papërshtatur me mentalitetin, qasjen, studimet, kërkimet, realitetin e funksionimit, emancipimin në drejtim dhe menaxhim, kulturën e punës, rëndësinë e burimeve njërëzore dhe menyrën sesi motivohen ato?!
Si mundet që suksesi i presupozuar dhe i zoluar i dikujt nisur nga rrethanat jetësore… të serviret si ushqim publik shpeshherë deri në imponim si model i qëndrueshëm dhe rezultativ rrugën e të cilit duhet të ndjekim të gjithë..!
Si mundet që kushdo mund të bëhet trajnues kur të dojë, teket e vendos të kapërcejë pa të keq e në paturpësinë më të madhe nga një punë, profil dhe pozicion në atë të trajnuesit, me arrogancën e fodullizmin e marrjes përsipër të pronësisë dhe udhëheqjes së dijeve, njohurive dhe aftësive të profesionistëve pjesëmarrës duke u prezantuar si i “gjithëdituri i shekullit” përmes shpëlarjes së trurit!
Këto raste nuk janë veçse artifice PR-i, pasi ti mveshësh vetes pozitën e përqëndrimit të plotfuqisë për të shërbyer si pikë referimi dhe identifikohesh me titullin trainer duke neglizhuar realitetin faktik, operuar në menyrë indipendente nga rëndësia e studimeve dhe hulumtimeve në treg apo pa lidhje me kërkimin profesional dhe shkencor dhe pa kontribut e përkatësi në të… nuk përbën fare vlerë për t’u marrë në konsideratë dhe kushtuar as vemendje dhe as rëndësi.
Pjesëmarrësit në të shkuarën kanë dalë prej këtyre aktiviteteve më konfuz se ç’kanë hyrë duke e kuptuar hilen e flluskës së sapunit, por të dyzuar mes simpatisë për organizatorin/trajnuesin dhe dëshirës për ti ngjarë e kopjuar atë, kanë vendosur ta lënë në heshtje vlerën dhe përfitimin e ulët të pjesëmarrjes.
Si përfundim, unë mendoj që ka ardhur koha të vendosim filtrat në punë mos të na bëjnë budallenj duke i bojkotuar këto aktivitete të cilat për nga përvojat e rasteve të shkuara e në raste të ngjashme nuk kanë prodhuar as produkt, as rezultat dhe as përfitim. Këta “trajnues organizatorë” vetëm kanë përdorur një event të ndryshëm për pak më shumë shtrirje e mbështetje publike duke dëmtuar përmes marrjes me pahir atributet e një shërbimi/procesi të rëndësishëm formimi siç është “Trajnimi”.
Autor: Erion Muça, pedagog, ekspert karriere dhe punësimi