Finlanda do të aplikojë për anëtarësim në NATO, tha presidenti i vendit të dielën, në një lëvizje historike për vendin nordik, i cili ka pasur një politikë prej dekadash të neutralitetit ushtarak.
Në një konferencë shtypi së bashku me kryeministren Sanna Marin, Presidenti Sauli Niinisto tha se anëtarësimi në NATO do të “maksimizojë” sigurinë e Finlandës pas pushtimit të paprecedentë të Ukrainës nga Rusia në shkurt.
“Ne kemi arritur sot një vendim të rëndësishëm,” tha Marin, duke shtuar se ai “bazohet në një mandat të fortë”.
“Shpresojmë që parlamenti të konfirmojë vendimin për të aplikuar për anëtarësim në NATO gjatë ditëve në vijim”, shtoi ajo. Aplikimi zyrtar do të dorëzohet javën e ardhshme.
Marin tha se Finlanda ka qenë në kontakt të ngushtë me NATO-n dhe anëtarët e saj lidhur me vendimin. Javën e kaluar, Marin dhe Niinisto thanë se vendi duhet të aplikojë për t’u bashkuar me NATO-n “pa vonesë”.
Finlanda ndan një kufi prej 830 miljesh me Rusinë; nëse i bashkohet aleancës ushtarake, kufiri tokësor që Rusia ndan me territoret e NATO-s do të dyfishohej afërsisht.
Burimi: CNBC