Më datë 9 shkurt 2023, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, kushtuar programit ndërkombëtar “Chevening” të ofruar nga Zyra e Jashtme e Commonwealth dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar.
Ky aktivitet u hap nga fjalët përshëndetëse të Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë Shkëlqesisë së Tij z. Alastair King-Smith, të dërguarit të Posaçëm të Kryeministrit britanik në Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, dhe të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko.
Në krye të fjalës së tij, Guvernatori Sejko falënderoi Ambasadorin King-Smith për marrëdhëniet mjaft të mira midis dy vendeve dhe për mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Shqipërisë në proceset e zhvillimit të vendit, përfshirë këtu edhe atë të integrimit evropian.
Guvernatori vlerësoi rolin që Mbretëria e Bashkuar ka pasur veçanërisht në rrugën e tranzicionit të vendit tonë, si nëpërmjet mbështetjes me fonde financiare ashtu dhe nëpërmjet transferimit të dijeve dhe ndihmës në ngritjen e kapaciteteve.
Më tej, ai theksoi se prej disa vitesh, Banka e Shqipërisë bashkëpunon ngushtë me institucione prestigjioze të dijes në Mbretërinë e Bashkuar, si Shkolla Ekonomike dhe Shkencave Politike të Londrës (LSE) dhe Universitetin e Oxfordit, duke bërë të mundur organizimin e një serie konferencash të përbashkëta.
Guvernatori Sejko vlerësoi në veçanti programin ndërkombëtar “Chevening” të bursave të ofruar nga Zyra e Jashtme e Commonwealth dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar i cili i krijon mundësinë të rinjve për të studiuar në universitetet e Mbretërisë së Bashkuar dhe i nxit ata të tregojnë potencialin për të influencuar në ndryshime pozitive në vendet e origjinës, duke investuar kështu në aspiratat e tyre.
Ai shtoi se përmes këtij partneriteti, shumë të rinj kanë përfituar nga ky shkollim në Mbretërinë e Bashkuar nëpërmjet programit, duke fituar njohuri dhe eksperiencë dhe duke kontribuar më pas në shërbim të vendit tonë në fusha të ndryshme.
Burimi: Banka e Shqiperise