Në datën 15 shtator 2021, Guvernatori Sejko mori pjesë në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë.
Kjo tryezë kishte për qëllim të diskutonte çështjet kryesore me të cilat po përballet aktualisht Shqipëria, të tilla si: sfidat e paraqitura nga ndryshimet e shpejta klimaterike; vështirësitë ekonomike që rrjedhin nga historia e vendit; situata e krijuar për shkak të pandemisë COVID-19; si dhe sfidat e qeverisjes.
Në diskutim morën pjesë Kryetari i Bordit të Besuar në Institutin e Zhvillimit Jashtë Shtetit (ODI), z. Suma Chakrabarti, Shefja Ekzekutive e Bordit të Besuar në Institutin e Zhvillimit Jashtë Shtetit (ODI), zj. Sara Pantuliano, si dhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, z. Alastair King-Smith.
Gjatë fjalës të tij, Guvernatori u shpreh se është shumë e rëndësishme që ndërtimi i një të ardhmeje më të mirë të fillojë me gjetjen e një rrugë më të sigurt për të dalë nga pandemia. Nga njëra anë, politikat ekonomike duhet të vazhdojnë të ushqejnë rimëkëmbjen dhe të shmangin heqjen e nxituar të stimulit. Nga ana tjetër, vëmendje e duhur duhet t’i kushtohet monitorimit të rreziqeve të mundshme që dalin nga mbingarkesa e borxhit, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, dhe rritjen e inflacionit.
Guvernatori theksoi se sektori bankar luajti një rol tepër të rëndësishëm në përgjigjen ekonomike të Shqipërisë ndaj pandemisë COVID-19, duke lehtësuar rimëkëmbjen. Gjithashtu dhe strategjitë e huadhënies së bankave duhet të balancohen midis optimizimit të rrezikut/kthimit dhe shërbimit të interesave të komunitetit, duke ndarë më shumë fonde për bizneset që krijojnë më shumë vende pune.
Me tej, Guvernatori shtoi se një risi zhvillimi i të cilës u përshpejtua gjatë pandemisë ishte i teknologjia e informacionit, e cila ka krijuar mundësi për inovacion financiar dhe ka sfiduar modelet bankare klasike. Instrumentet e reja të pagesës dhe kreditit, aktorët e rinj të tregut financiar, si dhe modelet e reja të biznesit, të tilla si bankat dixhitale dhe pagesat elektronike, rritën depërtimin e shërbimeve financiare.
Gjithashtu dhe sektori privat duhet ta përqendrojë fokusin e tij, duke përshtatur strategjitë dhe praktikat e biznesit me tendencat në zhvillim, si p.sh. revolucioni i IT-së, i cili ka bërë të mundur zhvendosjen e një pjesë të biznesit në internet, duke rritur fleksibilitetin dhe efikasitetin operacional.
Në përfundim të fjalës së tij, Guvernatori nënvizoi se duhet të shqyrtojmë me kujdes sfidat tona të zhvillimit të ardhshëm, dobësitë tona strukturore, si dhe tendencat e zhvillimit global, dhe në të njëjtën kohë të përpiqemi t’i kthejmë ato në mundësi. Ai theksoi që sigurimi i rritjes së qëndrueshme kërkon një agjendë të qartë reformash në fusha të ndryshme si: lufta kundër informalitetit, edukimi dhe përfshirja financiar, investimet e huaja, si dhe bashkëpunimi rajonal e më gjerë; të cilat kanë ndikimin e tyre në procesin e integrimit evropian të vendit.
Në përfundim të diskutimeve, paneli i tryezës së rrumbullakët iu përgjigj pyetjeve të drejtuara nga pjesëmarrësit.