Më 31 mars 2022, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, priti në një takim të veçantë delegacionin e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, të shoqëruar nga Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, SH.T.Z. Alastair King-Smith.
Ky delegacion është një grup ndërpartiak i parlamentarëve britanikë që vizitojnë Shqipërinë, me qëllim promovimin e marrëdhënieve Mbretëri e Bashkuar – Shqipëri. Ai ishte i kryesuar nga deputeti Martin Vickers, i dërguari i Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar për Tregtinë në Ballkanin Perëndimor.
Fillimisht, Guvernatori Sejko i shprehu falënderimet Ambasadorit dhe deputetëve të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar për marrëdhëniet mjaft të mira midis dy vendeve dhe mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Shqipërisë në proceset e zhvillimit të vendit.
Në vijim të bisedës, Guvernatori Sejko bëri një ekspoze të zhvillimeve ekonomike e financiare të vendit, si dhe perspektivat e tyre për të ardhmen. Ai evidentoi progresin e bërë nga Shqipëria gjatë periudhës së tranzicionit, suksesin në përballimin e goditjeve të tërmetit dhe të pandemisë, si dhe rimëkëmbjen e shpejtë që ekonomia shqiptare shënoi gjatë vitit të shkuar. Në veçanti, ai theksoi rolin pozitiv që pati reagimi i shpejtë, i vendosur dhe efektiv i autoriteteve publike, nëpërmjet instrumenteve fiskale, monetare dhe rregullatore.
Më tej, Guvernatori u ndal në analizën e ndikimit të goditjes që vjen nga rritja e çmimeve dhe e pasigurisë në tregjet botërore. Ai theksoi se kjo goditje do të lerë padyshim gjurmët e saj në ekonomi dhe në bilancet e bizneseve e familjeve shqiptare. Megjithatë, bazat solide të stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit, si dhe mbështetja në masën dhe në kohën e duhur me instrumente monetare dhe fiskale, na bëjnë të besojmë se ekonomia jonë do t’i rezistojë edhe kësaj goditjeje. Guvernatori përsëriti mesazhin se – në përputhje me mandatin e saj ligjor – Banka e Shqipërisë do të vijojë të marrë masat e nevojshme për ruajtjen e stabilitetit monetar dhe financiar të vendit, si parakusht për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë.
Së fundi, Guvernatori Sejko u ndal në prospektet pozitive të zhvillimit ekonomik të vendit. Ai theksoi rolin e pazëvendësueshëm që ka procesi i integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe nevojën për reforma të mëtejshme strukturore në interes të forcimit të potencialeve të zhvillimit. Në këtë kontekst, ai falënderoi të pranishmit për rolin që komuniteti ndërkombëtar në përgjithësi dhe Mbretëria e Bashkuar në veçanti kanë pasur në rrugën tonë të tranzicionit, si nëpërmjet mbështetjes me fonde financiare ashtu dhe nëpërmjet transferimit të dijeve dhe ndihmës në ngritjen e kapaciteteve.
Të ftuarit falënderuan Guvernatorin për ekspozenë dhe ndanë besimin mbi perspektivat pozitive të zhvillimit të vendit. Më tej, ata u interesuan mbi rrugët dhe mënyrat e forcimit të shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare. Të pranishmit ndanë opinionin se vendi ynë ofron perspektiva interesante investimi në fushën e industrisë financiare, të energjisë dhe të turizmit. Të ftuarit shprehën angazhimin që këto mesazhe t’i përcjellin në mjediset publike dhe t’i ndajnë me përfaqësues të sektorit privat në Mbretërinë e Bashkuar.
Në përfundim të takimit, delegacioni vizitoi dhe Muzeun e Bankës së Shqipërisë për t’u njohur me historinë monetare të vendit tonë, ku vlen të përmendet edhe bashkëpunimi i hershëm dypalësh në emetimin e kartëmonedhës shqiptare, duke qenë se kartëmonedhat e para shqiptare janë prodhuar në Britaninë e Madhe dhe disa të tjera janë dizajnuar nga artistë britanikë.
Burimi: Banka e Shqipërisë