Ministria e Financave dhe Ekonomisë, nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, organizoi për herë të parë Panairin Virtual të Punës dhe Aftësive 2021, me mbështetjen e Programit Global “Migracion për Zhvillim”, i cili mbështetet nga financohet nga Qeveria Gjermane dhe zbatohet nga GIZ.
Janë 100 stenda virtuale u prezantuan ofertat për punësim në fusha të industrisë si telekomunikacion, banka, hoteleri- turizëm, shitjet me pakicë, call center e shumë të tjera. Ndërkohë, u ofruan më shumë se 2.500 vende të lira pune, praktika profesionale, bursa studimi dhe orientim e udhëzim në karrierë.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, përshëndeti hapjen e Panairit Virtual të Punës dhe Aftësive dhe vlerësoi rëndësinë e tij që në vite ka përballur në një tryezë, interesin e bizneseve për të rekrutuar punonjës të rinj dhe dëshirën e të rinjve për t’u bërë pjesë e kompanive shqiptare, e për të rritur vlerën e tyre.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë i ka kushtuar një rëndësi të veçantë në dy mandatet qeverisëse përmirësimit të aftësisë në punë dhe, në këtë aspekt, Ministrja Denaj theksoi faktin se, përmes ligjit të punësimit të vitit 2019 është bërë e mundur që Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive të mundësojë një përafrim më të madh të legjislacionit me atë të Bashkimit Europian, e mbi të gjitha të ndihmojë të rinjtë dhe të rejat të bëhen më të aftë për tregun e punës, nëpërmjet arsimimit në shkollat profesionale dhe kurseve profesionale.
“Arsimimi profesional është e ardhmja në Shqipëri për të rritur cilësinë, vlerën e punës dhe për të arritur në atë perspektivë të zhvillimit ekonomik që kërkon Shqipëria dhe objektivi ynë drejt integrimit europian”, u shpreh Ministrja Denaj.
Një falënderim të veçantë Ministrja bëri për partnerët ndërkombëtarë, përfaqësuesit e GIZ, të cilët kanë dhënë një kontribut dhe mbështetje të madhe për organizimin e Panairit Virtual, por edhe në hartimin e legjislacionit në fushën e punësimit dhe arsimit profesional, si dhe në shumë procese të tjera lidhur me kurrikulat dhe trajnimet profesionale, e mbi të gjitha në nxitjen e të rinjve për të rritur vlerën e aftësive të tyre nëpërmjet një punësimi dinjitoz.
Panairi Virtual i Punës dhe Aftësive i jep mundësi punëkërkuesve nga çdo qytet i Shqipërisë të takojnë online dhe të njihen personalisht me ofertat e punës, pa pasur nevojë të udhëtojnë apo të grumbullohen në një vend të caktuar.
Paralel me panairin, në të njëjtën platformë online, po zhvillohen sesione informuese dhe trajnime të ndryshme për të ndihmuar punë kërkuesit të afrohen me standardet që kërkohen nga tregu i punës./ProBizz.al/