Nëse jeni në kërkim të atyre eksperiencave që duhen provuar njëherë në jetë, High Scardus Trail është ideali. Për të apasionuar pas hiking dhe eksplorimit të shtigjeve të reja, ky shteg është një ndër aventurat e cila do të mbetet gjatë në memorien tuaj.
High Scardus Trail është shtegu më i gjatë në të gjithë Ballkanin, me gjatësi 450 kilometra, i cili kalon nëpër tre shtete dhe rajoni i Dibrës është një nga polet më të rëndësishme të tij. Ky shteg është një shtrirje e Via Dinarica që lidh Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut përgjatë kufirit të tyre të përbashkët.
Çfarë përfshin shtegu High Scardus
High Scardus Trail është një distancë e gjatë e cila ju mundëson eksplorimin më të mirë të Malsisë Lindore të Shqipërisë dhe ju dhuron përvojën e mikpritjes së ngrohtë Shqiptare.
Për të përfunduar komplet eksperiencën mbresëlënëse të këtij shtegu duhet të përgatiteni mirë për të marr emocione të forta, pasi ky shtegu kërkon kohë dhe për një soditje të plotë të tij do ju duhen plotë 10 ditë. Në këto ditë ju, jo vetëm që do të ngjisni majën më të lartë të vendit, malin e Korabit, por gjatë rrugës do të kaloni rreth 6 parqe kombëtare të të trija shteteve si Sharr, Mavrovo, Shebenik-Jabllanicë, Parkun Natyror Korab-Koritnik, Prespën, si edhe Liqenin e Pogradecit.
Rrëmbehuni nga natyra e virgjër Shqiptare
Sigurisht që rrugët për të përshkruar këtë shteg janë të ndyshme dhe pjesa Shqiptare ka itinerarin e saj që fillon nga Peshkopia dhe përfundon në Shishtavec të Kuksit. Guidat nga Peshkopia, siç shprehet për IntoAlbanian Grehans Uka (guide turistike) bëhet nga fshati Popinar, i cili nga banorët njihet si ballkoni i fushës së Maqellarës dhe Dibrës së Madhe për të vijuar në bjeshkët e Hinoskës të cilat njihen për liqenet akullnajore dhe burimet e shumta ujore. Gjithashtu është edhe një zonë e cila ju mundëson të shikoni lehtësisht Luginën e Drinit të Zi, përballë keni Parkun Kombëtar të Lurës, Dibrën e Madhe (në Maqedoni) si edhe liqenin e Radikës. Gjatë këtij itinerari mund do të sodisni dhe të prekni nga afër mrekullitë natyrore të malit të Velivarit, i cili është i dyti për nga lartësia në zonën e Dibrës dhe ndodhet në kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.
Udhëtimi do të vijojë drejt fshatit Rabdisht, një fshat tradicional që dallon për mikpritjen dhe rrugët e shtëpitë karakteristike me gurë. Pas Rabdishtit, ju presin bjeshkët e Gramës një ndër pikat më interesante të shtegut. Këto bjeshkë janë pjesë e vargmalit të Korabit. Me bjeshkë të pafundme, me pyjet me pisha të buta, me liqenin e bukur malor, përballë shtresave të gipsit të bardhë dhe larmisë shkëmbore të pasqyrave, me stanet dhe burimet e kristalta ujore, Grama është thjesht fillimi i kësaj ëndrre të bukur që do të përjetoni. Eksperiencën më të paharrueshme sigurisht që do t’ua dhurojë, Korabi me Radomirën të cilat mbeten unike. Korabi është një nga vendet më të bukura dhe tërheqëse për turizmin malor, e jo më kot e kanë quajtur ballkoni i Shqipërisë. Gjatë rrugës do të keni mundësinë të shikoni liqenet akullnajore, stanet dhe një numër të madh bagëtish që e karakterizon qartë si një zonë blektorale.
Shtegu i fundit i këtij rrugëtimi përfshin, Radomirë–Çaj–Shistavec, që ndryshe njihet edhe me emrin shtegu i ballkanit, e konsiderohet si një nga pikat më atraktive. Ky shteg shënon edhe fundin e vargmalit të Korabit dhe fillimin e vargmalit të Sharrit. Bjeshkët e Çajës mes livadheve alpine plot lule shumëngjyrëshe kanë një pamje të mrekullueshme, ndërsa rreth e përqark tufat e deleve dhe kuajve që kullotin e bëjnë edhe më të bukur pamjen.
Historiku
Mendohet se High Scardus Trail është më i vjetër se Krishtërimi dhe në shekullin e 2 para Krishtit, ishin romakët ata lëvizën përreth malit të Sharrit. Scardus në latinisht do thotë plot ngjyra, për shkak të luleve të shumta dhe peizazhit që krijohet në stinë të ndryshme. I pozicionuar në jug të maleve të Sharrit, mendohen që kjo hapësirë të jetë ndër kullotat alpine më të mëdha në Evropë, e ku jeta e barinjeve sot është akoma e gjallë, pa shumë ndryshime nga mijëra vjet më parë.
Burimi: Into Albania