Himara është vendi i duhur ku mund të njohësh monumentet natyrore, të shijosh gatimet delikate të detit, të aromatizosh nuhatjen me vajin e ullirit të zonës, të qetësosh shpirtin kur viziton kishat e të gëzohesh kur kridhesh në ujërat e ftohtë të plazheve blu. Aty gjen harmoninë unike të natyrës ku deti, qielli dhe mali janë dashnorë të përjetshëm të parajsave tokësore. Himara është një nga destinacionet kryesore turistike të vendit dhe udhëtim i këshilluar nga revistat më prestigjoze të Evropës për ata që kërkojnë detin pa kursim. Ketu, turizmi i diellit nis nga plazhi i “Rrugëve të Bardha”, sapo zbret Llogaranë, e deri poshtë në horizontin jugor. Në hapësirën e shtrirë mbi një reliev të thyer mes malit e detit Jon trashëgohet historia mijëravjeçare që zbulohet nga kishat e manastiret e stilit bizantin.
Plazhet
Për të apasionuarit pas ngjyrës së lëkurës mjafton të shëtisësh çdo ditë të javës në plazhet me famë të zonës. Lumenjtë e rrëmbyer që zbresin nga malet e Labërisë gjatë shekujve kanë krijuar në derdhje gjire të shumta me rërë e guralecë. Mos hezitoni të provoni plazhin e Palasës, të Spilesë, ndaloni në plazhin e Livadhit. Nuk mbeten pas ujërat e Potamit dhe të Llamanit. Për ata që kërkojnë pushime aktive mund të ndjekin sportet e ujit, mund të ngjiten në gjurmët e përrenjve të maleve, të zhyten në thellësitë e Jonit për të parë faunën nënujore, mund të provojnë ekuilibrin duke bërë surf mbi dallgë, apo të ngrënë adrenalinën nga hedhja me parashutë.
Himara e vjetër
Në qendër të Himarës është porti romantik. Aty ankorohen anijet e peshkimit dhe lundrueset që sjellin tursitët nga ishujt më jugorë të Jonit. Trashëgimia historike, kulturore e fetare është e pakursyer. Mund ta nisësh njohjen e zonës me Kalanë e Himarës ndërtuar në shek. IV-III para Krishtit. Ndërsa mes ullishtave që kanë lëshuar rrënjët në krahët e fshatrave të Himarës gjen Kishën e Ipapandisë, Kishën e Shën Stefanit, Kishën e Shën Spiridhonit, të gjitha monumente prioritare të aseteve kombëtare. Çfarë do të gjeni tjetër në Himarë? Nuk kemi mbaruar… listës sonë u shtohen monumentet e natyrës me Shpellën e Spilesë dhe Shpellën e Plazhit të Pëllumbave në fshatin Ilias.
Mbrëmjet në Himarë janë sharmante me lokalet buzë detit ose me klubet verore. I uritur, pas një dite plot diell e not, ke mundësinë të shijosh një gotë verë shoqëruar nga përzgjedhje delikate të kuzhinave evropiane, me koreografi pjatash të pasura në imagjinatë.
Burimi: Into Albania