Pas përfundimit me sukses të fazës së zbatimit dhe lidhjen me rrjetin kombëtar të energjisë elektrike, njësia e parë e Impiantit Fotovoltaik Lundrues të Banjës ka filluar me sukses operimet tregtare. Impianti po prodhon energji të rinovueshme dhe ajo po futet në rrjetin shqiptar të energjisë.
Projekti ndodhet në rezervuarin e Banjës, ku Statkraft operon Hidrocentralin e Banjës me kapacitet të instaluar 72 MW. Impianti Fotovoltaik Lundrues i Banjës është një projekt inovativ kërkim-zhvillimi me kapacitet të planifikuar të instaluar prej 2 MWp.
Njësia e parë e këtij impianti, që përbehet nga 1536 panele diellore, ka kapacitet të instaluar prej 0.5 MWp dhe mbulon një sipërfaqe afërsisht 4,000 m2. Veç kësaj, 160 panele të njëjtë janë vendosur në tokë për krahasim dhe dokumentim të efektit ftohës në panelet lundruese. Projekti planifikon të vazhdojë me fazën e dytë të zbatimit gjatë gjysmës së dytë të vitit 2021, kur do të instalohen edhe tre njësi të tjera lundruese, me kapacitet të instaluar shtesë prej 1.5 MWp.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga ambasadori i Norvegjisë në vendin tonë, Jens Erik Grøndahl, si dhe përfaqësues të kompanisë Statkraft kanë inspektuar nga afër projektin e implementuar në hidrocentralin e Banjës.
Ministrja Balluku e cilësoi këtë projekt si një risi ku brenda së njëjtës hapësirë kemi një integrim të dy burimeve të rinovueshme të energjisë.
“Ky është një projekt, që shkon në linjë me strategjinë e qeverisë për diversifikimin e burimeve të energjisë elektrike të rinovueshme, pasi në Republikën e Shqipërisë ne prodhojmë vetëm energji të rinovueshme. Kjo është diçka për t’u shënuar, është një ditë shumë e rëndësishme për mua si ministre e Energjisë, padyshim për ju si ekipi i suksesshëm i Statkraftit, për ambasadorin që besoj ndihet krenar sot që një kompani shumë e rëndësishme nga vendi i tij arrin dhe dorëzon një projekt me vlera për të gjithë Europën, pasi strategjia e diversifikimit, apo rritja e kapaciteteve të energjisë së rinovueshme është një trend europian dhe një kërkesë e Bashkimit Europian. Shqipëria ka fatin pasi është një kampione e prodhimit të energjisë të rinovueshme, duke qenë se e gjithë energjia që prodhohet në republikën tonë vjen nga burime të rinovueshme.”,-tha Balluku.
“Shqipëria është një vend me prodhim të lartë të energjisë nga burimet ujore, ngjashëm me Norvegjinë, kjo ka qenë një nga arsyet e interesit tonë për të investuar në vend si pjesë e zgjerimit ndërkombëtar. Sot shohim që Shqipëria mund të luajë një rol kyç si nyje e energjisë së rinovueshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Përvoja jonë prej më shumë se një dekadë në Shqipëri ka treguar se është e mundur të arrihen suksese në fushën e energjive të rinovueshme në vend, dhe arritjet tona janë mundësuar falë një bashkëpunimi të ngushtë me autoritetet shqiptare. Jemi krenarë të njoftojmë se kemi përmbyllur me sukses fazën e parë të një tjetër projekti inovativ në energjinë e rinovueshme në Shqipëri, me fillimin e prodhimit të energjisë diellore nga Impianti Fotovoltaik Lundrues i Banjës.”-tha Time Iyer Utne, Zv. Presidente e Statkraft, Përgjegjëse për Azinë Jugore dhe Europën Juglindore.
“Kjo ditë shënon një arritje të madhe për Statkraftin në Shqipëri dhe një hap më tej në transformimin drejt energjive të rinovueshme nëpërmjet zgjidhjeve inovative. Pas fillimit të operimeve tregtare në hidrocentralet e Banjës dhe Moglicës, po shohim mundësitë për t’i optimizuar më tej këto asete të energjisë së rinovueshme. Impianti Fotovoltaik Lundrues i Banjës është një shembull konkret i integrimit të burimeve të ndryshme të energjisë së rinovueshme”-tha Rigela Gegprifti, Drejtore e Përgjithshme e Statkraft në Shqipëri.
Statkraft është e pranishme në Shqipëri nga viti 2007. Shqipëria është nga vendet me përqindje më të lartë të prodhimit të energjisë së rinovueshme në Evropën Juglindore. Hidroenergjia përbën pjesën më të madhe të prodhimit të energjisë në Shqipëri, me rreth 95% të kapacitetit te instaluar. Veç kësaj, Shqipëria është nder vendet e para në Europë për numrin e orëve me diell në vit, që paraqet një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e energjisë diellore dhe përshtatet më së miri me kapacitetin ekzistues të hidroenergjisë./ProBizz.al/