Open Data Albania po hulumton mbi vlerësime të treguesve që lidhen me Inovacionin. Këto vlerësime janë pjesë e indikatorëve, përmes së cilëve krijohet Indeksi i Inovacionit Global IIG, indeks i Organizatës Botërore për Pronësi Intelektuale (WIPO). Në indeks vlerësohen dhe renditen 132 vende, mes tyre është vendi ynë, ku vendi më inferior ka renditje më të lartë.
Indeksi mbi Inovacionin mat dhe vlerëson 81 indikator që lidhen me Institucionet, Infrastrukturën, Kapitalin Human dhe Kërkimin, sofistikimin e tregut, bizneseve dhe produktet finale në kërkim, teknologji apo produkte krijuese. Të dhënat nën vlerësim merren nga Banka Botërore, institucion ku shtetet raportojnë mbi tregues.
Në vitin 2011, Shqipëria renditej në pozicionin më të mirë, me renditjen e saj ndër vite. Në 2011, Shqipëria renditej në vendin 80, mes 132 vendeve. Kjo përkon edhe me impaktin pozitiv të disa programeve shtetërore apo asistencës për vendin, si dhe disa programeve të Fondit të Mijëvjeçarit për digjitalizimin e disa regjistrave publik dhe aplikimin e standardit One Stop Shop në dobi të bizneseve.
Pas vitit 2011, deri në 2015, renditja është në rënie me mbi 10 vende ndryshim pozicioni, dhe ka oshilacione gjatë gjithë dekadës pasuese. Në viti 2021, Shqipëria qëndron në vendin e 84, duke shënuar ndryshim pozicioni edhe kundrejt vitit paraardhës, 2020, me një vend përkeqësim. Nëse e krahasojmë me fqinjët dhe vendet e Rajonit të Ballkanit Perëndimor, vendi ynë rezulton me vlerësim si më i prapambeturi. Në Indeks nuk është e përshfshirë Kosova. Megjithë disa përpjekje të Qeverisë të krijuar mbështetje dhe lehtësira për bizneset e reja në Inovacion e Teknologji Informacioni, rezultatet nuk janë vlerësuar me impakt. Po njësoj, rezultate duket se nuk ka patur dukshëm as nga disa programe të mbështetura nga Buxheti i Shtetit për rritje të logjistikës dhe kapaciteteve të administratës në këtë sektor. Vetëm në vitit 2022, Qeveria ka parashikuar fillimin e investimeve në TIK me Fond prej 9.95 miliard Lekë.
Import – Eksportet në Teknologji Inovative dhe Shërbime Produkt, tregojnë se sa angazhim dhe rezultat ka një vend për fuqizim të Sektorit. Në renditje, sa i takon Import – Eksporteve për vitin 2021, Shqipëria është në pozicionin më inferior, jo vetëm me fqinjët e rajonit, por edhe në rang global. Indikatorët merren në konsideratë nga WIPO dhe bëjnë pjesë në kategoritë: sofistikimi i biznesit dhe produkte finale në kërkim dhe teknologji.
Në raportin e fundit të publikuar mbi Indeksin e Inovacionit Global 2021, Shqipëria renditet në vendin 130, nga 132 vende në total, tek të dy indikatorët.
Ashtu siç tregohet dhe në grafikun e mësipërm, Shqipëria në kuadrin e eksporteve të teknologjisë, renditet në vendin 130, ndërkohë që vendet si Bosnia-Herzegovina renditet në vendin 51, Mali I Zi 113, Maqedonia 50 dhe Serbia 64. Duket sikur do duhen shumë vite që vendi të arrijë vendet e rajonit. Inovacioni është një sektor që NDIKON gjerësisht ekonominë, shërbimet, biznesin dhe të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë.
Renditjen në Indeks për Vendet Europiane e gjeni të publikuar dhe vizualizuar po në portalin tonë Open Data Albania.
Burimi: Open Data Albania