Çmimet e lëndëve të para në tregun ndërkombëtar janë rritur me shpejtësi këtë vit, duke sjellë kështu efektet negative edhe në tregjet vendase, duke çuar në rritjen e kostove të prodhimit vendas.
Sipas raportit nga INSTAT indeksi i Çmimeve të importit, në tremujorin e dytë të vitit 2021, arriti 101,3 duke shënuar një rritje me 1,7%, në krahasim me tremujorin e dytë 2020. Krahasuar me tremujorin e parë 2021 indeksi shënoi një rritje me 0,4%.
Çmimet e importit të produkteve në seksionin “Energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri kondicionuar” kanë shënuar rritje me 9,7%.
Indeksi në seksionin “Industria përpunuese” me peshën më të madhe prej 94,0%, shënoi një rritje me 1,4%, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2020. Brenda këtij seksioni rritja më e madhe e çmimeve vërehet në produktet e aktivitetit “Përpunimi i koksit dhe rafineria e nënprodukteve të naftës” me 5,0%, pasuar nga aktivitetet “Shtypshkrimi dhe rigrupimi i mediave të regjistruara” me 4,4%, “Metalurgjia” me 3,5%, “Prodhimi i produkteve të duhanit” me 2,3%, etj.
Nga ana tjetër çmimet në aktivitetin “Prodhimi i mjeteve të tjera të transportit” kanë shënuar ulje me 1,1%, pasuar nga “Prodhimi i produkteve optikë, elektronikë, kompjuterikë” me 0,8%, “Përpunimi i tekstileve” me 0,7%, etj.
Indeksi i Çmimeve të importit në tremujorin e dytë 2021 shënoi rritje me 0,4%, krahasuar me tremujorin e parë 2020. Indeksi në seksionin “Industria përpunuese”, me ndikimin më të madh në ndryshimin mujor ka shënuar rritje me 0,4%.