Modelet iPhone 12 Pro, 12 Pro Max, 13 Pro, 13 Pro Max, 14 Pro dhe 14 Pro Max përfshijnë një skanues LiDAR pranë kameras së pasme e cila ka raste të ndryshme përdorimi, ndër të cilat është dhe matja e gjatësisë së një personi në mënyrë të menjëhershme nëpërmjet aplikacionit Measure.
Për të matur gjatësinë e një personi, mjafton të hapni aplikacionin Measure, të drejtoni smartphone-in tuaj drejt personit që dëshironi t’i masni gjatësinë, dhe të siguroheni se në kamera keni një pamje të plotë nga koka tek këmbët të personit.
Gjatësia mund të shfaqet në njësi të ndryshme matëse, inç apo centimetra. Për të ndryshuar njësinë matëse duhet të shkoni në aplikacionin Settings > Measure > Measure Units.
Aplikacioni bën të mundur matjen e gjatësisë së një personi nga dyshemeja deri tek koka e tij, flokët apo kapelja. Madje ju mund të masni dhe gjatësinë e një personi të ulur në karrige.
Butoni i rrumbullakët në pjesën e poshtme ju lejon të shkrepni një fotografi dhe ta ndani atë me miqtë tuaj.
Ky shërbim nuk është i pranishëm në iPhone-t pa një sensor LiDAR.
Burimi: Geek Room