Tom Maples shpenzoi pesë ditë dhe gati 7,000 dollarë për t’u kthyer në Londër nga Tanzania në maj. Shumë vende afrikane janë në “listën e kuqe” angleze, që do të thotë se kushdo që ka vizituar një nga këto vende në dhjetë ditët e mëparshme, duhet të karantinohet në një hotel të shtrenjtë aeroporti para se të hyjë në Angli. Duke dashur të shmangë koston, z. Maples bleu një biletë për në Nju Jork, ku mund të rrinte tek disa miq për disa javë.
Zyrtarët ia ndaluan fluturimin e parë. Ai rezervoi një të dytë, por e ndalën gjatë kalimit në Gjermani. Kufijtë e Amerikës ishin të hapur për shtetasit jo-amerikanë që udhëtonin nga Tanzania, por jo për ata që vinin nga Europa. Pas disa orësh lutjesh dhe kërkim për alternativa, ai u bind se nuk kishte rrugë tjetër veçse të kthehej në shtëpi.
Por kishte një pengesë tjetër: zyrtarët kërkonin që të paguante faturën e karantinës prej 2,400 dollarësh para se të lejohej në kufi. Në atë kohë, ai e kishte kaluar limitin e kartës së kreditit dhe duhej t’i kërkonte një të afërmi para hua. “Përvoja më shkatërroi fare emocionalisht”, thotë ai.
Qeveritë e kanë hequr fare kënaqësinë e të udhëtuarit këtë verë. Britania ka vendosur rregulla mjaft të koklavitura. Në teori, sistemi i saj i vlerëson vendet sipas rrezikut nga Covid-19 dhe vendos rregullat e udhëtimit në përputhje me rrethanat. Por në praktikë, ky sistem është arbitrar, i paparashikueshëm dhe ndryshon vazhdimisht. Duke u përballur me presionin nga industria e udhëtimit dhe qytetarët e etur për të vizituar plazhet e vendeve të tjera, kryeministri i vendit Boris Johnson, ka përkrahur një “politikë të balancuar”. Ai nuk e shpjegoi se çfarë do të thoshte kjo.
Politikat në Amerikë janë po aq të ndërlikuara. Administrata e Biden nuk ka arritur t’i përshtasë kufizimet me normat e vaksinimit dhe të infeksioneve. Në të gjithë botën, një përzierje rregullash shkakton konfuzion, pengon turizmin dhe i lë bizneset konfuze, duke u përpjekur të kuptojnë se kush mund të bëjë çfarë.
E gjithë kjo do të thotë se udhëtimi do të mbetet jashtë mundësive për shumë njerëz dhe do të vazhdojë të jetë i çrregullt për disa kohë. Kaosi nuk ka gjasa të qetësohet së shpejti, teksa rriten infeksionet dhe qeveritë nuk po arrijnë të koordinojnë politikën. Udhëtarët duhet të lexojnë faqet e shumta online të ministrisë dhe aeroporteve për të njohur rregullat.
Edhe pse BE ka filluar të rihapet, një shtet mesatar anëtar ka 330 kufizime në udhëtimet ndërkombëtare, sipas bankës zvicerane UBS, në krahasim me vetëm pesë në mars 2020. Timatic, një bazë të dhënash për vizat dhe rregulloret e hyrjes të përpiluara nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA), u përditësua 200 herë në ditë vitin e kaluar.
Konfuzioni rritet edhe më tepër nga qeveritë që marrin qasje shumë të ndryshme për rregullat e udhëtimit. Azia Lindore dhe Australia i kanë mbyllur sërish kufijtë. Rajonet më të varfra, si Afrika Nënsahariane, kanë mbetur kryesisht të hapura. Amerika dhe Europa janë diku në mes.
Vendet më të mbyllura, të cilat zakonisht janë ishuj ose diktatura, i kanë mbajtur rastet nën kontroll, duke i mbyllur kufijtë dhe duke izoluar në mënyrë agresive shpërthimet e rasteve brenda territorit të tyre. Kohët e fundit, qeveria australiane përgjysmoi limitin për mbërritjet nga jashtë shtetit në 3,000 njerëz në javë, edhe pse 38,000 qytetarë australianë dëshirojnë të kthehen në shtëpi.
Rregulla të tilla më të rrepta mund të funksionojnë. Në javën e parë të gushtit, vendi kishte vetëm 1,800 raste të reja. Britania kishte sa 100-fishi i saj. Sipas një sondazhi nga Korporata Australiane e Transmetimit, 80% e australianëve janë dakord që kufiri të mbetet i mbyllur derisa pandemia të jetë “nën kontroll globalisht”.
Me vetëm 18% të njerëzve të vaksinuar plotësisht, Australia mbështetet në instrumente të tjera si karantinimi i njerëzve në ndërtesa të miratuara nga qeveria. Pete McGregor, i cili fluturoi nga Londra për të vizituar babanë e sëmurë në shkurt, u ndje me fat që e vendosën për karantinë në mjediset e jashtme në Darwin, në vend të ndonjë hoteli të vogël.
Por McGregor ende e përshkruan udhëtimin si “ferr”. Për vende të tilla, mënyra e vetme për t’u rihapur në mënyrë të sigurt është vaksinimi i shumicës së njerëzve dhe pastaj eksperimentimi, siç po vepron aktualisht Singapori. Zelanda e Re duhej ta anulonte këtë plan këtë javë, kur një mungesë e fuqisë punëtore e shtyu qeverinë të deklaronte se do t’i rihapte pak kufijtë pavarësisht nga shkalla e ulët e vaksinimit.
Disa qeveri po u kërkojnë njerëzve të jetojnë me virusin. Deri në qershor, vetëm 13% e vendeve në Europë kanë mbetur të mbyllura për udhëtarët ndërkombëtarë, krahasuar me 70% në rajonin e Azi-Paqësorit, sipas Organizatës Botërore të Turizmit të OKB-së.
Niveli i lartë i vaksinimit e bën hapjen më të lehtë. Kërkesa e madhe për udhëtime e bën vaksinimin popullor. Në shkurt, kërkesat për fluturime ndërkombëtare nga njerëzit në Francë ishin vetëm 30% e nivelit të dy viteve më parë; tani ato kanë arritur në 76% të nivelit para-pandemik, sipas agjencisë së udhëtimeve online Kayak. Ndërkohë, në Kinë, niveli i fluturimeve mbetet ende në një të pestën e nivelit para-pandemik.
Vendet e pasura që po përpiqen të hapen, po krijojnë sisteme për të zvogëluar rreziqet. Muajin e kaluar, BE-ja prezantoi një Certifikatë Dixhitale Covid, të cilën njerëzit mund ta përdorin për të vërtetuar se janë vaksinuar, testuar ose shëruar kohët e fundit nga Covid-19. Por politikat janë shpesh jokonsistente. Amerika vazhdon të mbetet e mbyllur për vizitorët nga Austria dhe Gjermania, por jo nga Kolumbia apo Tajlanda, ku normat e vaksinimit janë më të ulëta dhe infeksionet nga Covid-19 më të shpeshta.
Dhe ekuipazhet e linjave ajrore e kanë pasur të vështirë të përshtaten me normat dhe rregullat e ndryshme, prandaj shpesh thjesht i japin një shikim të përciptë në vend që të skanojnë kodet QR. Kompania ajrore gjermane Lufthansa thotë se stafi i saj do të jetë në gjendje të skanojë dokumentet, vetëm nëse testimi dhe certifikimi i vaksinave bëhen standarde në nivel global.
Por planifikimi i kujdesshëm dhe dokumentacioni janë shqetësimi i fundit për shtetet e varfra. Shumica e këtyre vendeve po përpiqen të marrin mjaftueshëm vaksina dhe nuk e kanë luksin për të mbyllur kufijtë. Për shkak se vendet e pasura imponojnë disa nga kërkesat më të vështira për karantinim dhe testim ndaj vendeve të varfra, udhëtimi është bërë i papërballueshëm për klasën e mesme në këto vende.
Edhe ata që janë vaksinuar, shpesh marrin vaksina të prodhuara në Indi ose Kinë, të cilat mund të mos njihen nga autoritetet e vendeve të pasura. “Duket sikur ata kanë gjetur një mënyrë tjetër për të na diskriminuar këtu në Afrikë”, thotë Itunu Kuku, një nigerian që jeton në Senegal.
Udhëtimet jashtë shtetit do të vazhdojnë të jenë një problem që do të zgjasë përtej sezonit veror. Nëse udhëtimet ajrore kthehen në 75% të nivelit para-pandemik dhe stafi i linjës ajrore duhet të vazhdojë të kontrollojë aplikacionet dhe formularët e ndryshëm, atëherë pasagjerët do të kalojnë mesatarisht 5.5 orë duke pritur në aeroporte, në krahasim me 1.5 orë para pandemisë, vlerëson Nick Careen nga IATA.
Ndezja e motorit
Udhëtimet ndërkombëtare mund të kthehen në një luks, ashtu si dikur në mesin e shekullit XX. Personat e shqetësuar për kontrollet e gjata në aeroporte apo infektimin nga virusi në avion, tashmë po zgjedhin të udhëtojnë në rrugë ose hekurudhë.
Disa do të fluturojnë përsëri pasi rregullat të jenë thjeshtuar dhe frika nga virusi të jetë zbehur. Por testet e shtrenjta dhe rritja e tarifave ajrore do të thotë se festat dyditore të beqarisë në Budapest mund të bëhen më pak të zakonshme (një lajm i mirë për disa veta). George Kipouros, redaktori i revistës së udhëtimeve “Wanderlust”, thotë se do të ishte një gjë e mirë nëse njerëzit do të fillonin t’i shihnin përsëri udhëtimet, si diçka të veçantë, dhe kështu do t’i vlerësonin më shumë.
Por për shumicën e udhëtarëve, një botë më pak e hapur do të thotë më pak liri. Humbja bëhet më e dhimbshme nga rregulla që shpesh nuk kanë kuptim. Një vit e gjysmë pas pandemisë, politikanët më në fund pranojnë atë që epidemiologët e kanë ditur prej kohësh: se nuk ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis frenimit të udhëtimeve dhe frenimit të infeksioneve.
Për shkak se virusi përhapet në mënyrë eksponenciale, dhjetë raste të importuara dhe njëqind, çojnë në një shpërthim infeksionesh të një madhësie të ngjashme pas vetëm disa javësh, vëren Adam Kucharski, epidemiolog. “Kufizimet shumë të rrepta të udhëtimit, thjesht do t’i vonojnë gjërat”, shton ai.
Për më tepër, rregullat kufitare nuk mund t’i parandalojnë shpërthimet nëse nuk shoqërohen me rregulla të rrepta të brendshme. Njerëzit që lëvizin brenda një vendi e përhapin gjithashtu virusin. Varianti shumë ngjitës Delta tani po nxit shpërthime të reja edhe në vendet që mbyllën kufijtë e tyre. Australisë i është dashur të zgjasë karantinat lokale dhe të vërë në lëvizje ushtrinë për të zbatuar urdhrat e qëndrimit në shtëpi. Kina ka nisur testime masive dhe ka vendosur frenime të reja në udhëtimet brenda vendit.
Shumë nga masat e sigurisë në lidhje me rihapjen e pjesshme janë të mangëta. Duke i kërkuar dikujt që të izolohet në shtëpi, i shkurton atij kontaktet me botën e jashtme me 75%, dhe me 90% për karantinat në hotele, raporton “Lancet”.
Një studim tjetër tregon se një test i kushtueshëm që përdor metodën e reaksionit zinxhir të polimerazës (PCR) para një fluturimi, është zgjedhje më e keqe se një alternativë më e lirë. Ai është më i saktë se një test antigjeni, por më i ngadaltë. Kështu që udhëtarët mund të infektohen gjatë kohës që po dalin rezultatet e testit. Një test antigjen negativ i kryer ditën e një udhëtimi, ul numrin e personave të infektuar që e kalojnë kufirin me 24% në krahasim me skenarin ku nuk kryhet asnjë test dhe me 33% për një test PCR të kryer dy ditë para fluturimit.
Skanuesit e temperaturës janë gjithashtu jo të besueshëm. Gjatë shpërthimit të virusit Sars në vitin 2003, Kanadaja shpenzoi me miliona për skanues të tillë, por nuk arriti të zbulonte asnjë rast të vetëm. Hulumtimet fillestare treguan se rreth gjysma e udhëtarëve të infektuar me Covid-19 do të zbuloheshin, por analizat e fundit kanë treguar se të rinjtë në veçanti nuk zbulohen, pasi shumica nuk kanë si simptomë temperaturën e lartë.
Si parashikohet e ardhmja
Në këtë fazë të pandemisë, dëshira e qeverive për një qasje të balancuar në udhëtime është e kuptueshme. Por dëshmitë për përfitimet e kufizimeve të shumta në udhëtime, nuk janë të qarta, ndërsa kostot janë tejet të dukshme. Në Amerikë, vetëm 6% e fuqisë punëtore ishte në biznesin e udhëtimit në vitin 2020, por në këtë sektor u humb plot një e treta e vendeve të punës.
Globalisht, gati një në pesë vende pune të mbështetura në turizëm, u humbën në vitin 2020. Vendet e varfra, veçanërisht, mbështeten në turizëm për zhvillimin ekonomik. Këshilli Botëror i Udhëtimit dhe Turizmit vlerëson se madhësia e industrisë ndërkombëtare të udhëtimit dhe turizmit u përgjysmua nga 10.4% e PBB-së globale në vitin 2019, në 5.5% në vitin 2020, një humbje prej 4.5 trilionë dollarësh.
Vetëm kur bota të jetë vaksinuar në mënyrë të mjaftueshme, atëherë udhëtimet do t’i rikthehen normalitetit si para pandemisë. Kjo mund të mos ndodhë deri në vitin 2024, sipas disa vlerësimeve. Por edhe atëherë, mund të zbatohen rregullat e gabuara.
Ndalimi i Amerikës për udhëtarët e sëmurë me HIV u imponua në vitet 1980 dhe u shfuqizua vetëm në vitin 2010. Po kështu, linjat ajrore mund të kërkojnë dokumente në lidhje me Covid-19 për vitet në vazhdim. Ministri britanik i Transportit, Grant Shapps, thotë se britanikët që dalin jashtë shtetit duhet të vaksinohen plotësisht kundër Covid-19 “për një kohë të përhershme”.
Certifikimi i vaksinës mund të ketë kuptim në planin afatgjatë. Por ndalimet për vizitorët nga vende të caktuara ose kufizimet për udhëtimet ndërkombëtare janë vërtet të pakuptimta. Rreziku është që këto rregulla mund të zgjasin përtej qëllimit fillestar, jo sepse qeveritë nuk mund t’i heqin ato, por sepse asnjë politikan nuk dëshiron të jetë i pari që përpiqet ta bëjë.
Burimi: The Economist