Më 4 mars 2022, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi një takim me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga zj. Yan Sun, shefe e Misionit të FMN-së për Shqipërinë.
Në fokus të bisedës ishte trajtimi i situatës së krijuar nga konflikti Ukrainë-Rusi dhe efektet e saj në ekonominë shqiptare. Temat e diskutuara ishin ecuria e inflacionit, kursi ikëmbimit, zhvillimet në sektorin bankar dhe financiar, si dhe orientimi i duhur i politikave ekonomike për t’i paraprirë çdo realiteti të ri ekonomik dhe marrja e masave sa më gjithëpërfshirëse.
Guvernatori Sejko u shpreh se Banka e Shqipërisë po bën vlerësimet e saj mbi balancën e faktorëve të rreziqeve dhe do të rishikojë në vazhdimësi përshtatshmërinë e qëndrimit të politikës monetare.
Deri para këtij konflikti, ekonomia shqiptare ka shfaqur tendenca të qarta rikuperimi. Vlerësimet e Bankës së Shqipërisë sugjerojnë se ndikimi i situatës së rënduar gjeopolitike do të jetë i pranishëm, kryesisht në formën e çmimeve më të larta për artikujt e importit dhe të lëndëve të para.
Guvernatori parashtroi se ekonomia shqiptare ka një ekspozim të vogël direkt ndaj vendeve në konflikt. Po ashtu, ekuilibri i konsoliduar makroekonomik, sistemi i shëndetshëm financiar, rezervat e mjaftueshme valutore, si dhe hapësirat për reagim të politikave monetare e fiskale, janë një garanci më shumëpër përballimin e situatave kritike.
Guvernatori theksoi se sektori bankar paraqitet i qëndrueshëm, me tregues që evidentojnë një ambient financiar të gatshëm për të mbështetur më tej zhvillimin ekonomik të vendit. Së fundi, ai shtoi se Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit, për të mbështetur veprimtarinë bankare dhe kontribuar në stabilitetin e sistemit financiar.
Përfaqësuesit e FMN-së vlerësuan se situata aktuale e konfliktit të armatosur është komplekse. Megjithatë, ata ndanë vlerësimin mbi ekspozimin e ulët direkt të ekonomisë shqiptare, si dhe rezistencën e saj ndaj ndikimit ekonomik e financiar të konfliktit, nëse ky i fundit mbetet në dimensionet aktuale.
Në vijim, ata shtuan se konflikti aktual në Ukrainë dhe sanksionet e vëna ndaj Rusisë shtojnë elementet e pasigurisëmbi pasojat indirekte, pasi tregjet botërore janë shfaqur volatile gjatë ditëve të fundit.
Në përfundim të diskutimeve u theksua rëndësia e monitorimit të vazhdueshëm të situatës, si dhe koordinimi i politikave nga autoritetet shqiptare duke marrë masat e nevojshme në kohën e duhur./ProBizz.al