Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me London School of Economics and Political Science -LSE (Shkolla Ekonomike dhe e Shkencave Politike e Londrës), organizoi më 27 tetor 2022, konferencën vjetore me temë “Rikthimi i inflacionit: Si mund ta përballojmë në kushtet e pasigurive të shtuara?”.
Kjo është konferenca e 16-të vjetore e Bankës së Shqipërisë dhe e treta që organizohet në bashkëpunim me Shkollën Ekonomike dhe të Shkencave Politike të Londrës (London School of Economics and Political Science), një ndër 10 universitetet më të mira në botë në fushat e studimeve sociale, ekonomike, politike, shoqërore e ndërkombëtare.
Konferenca u parapri nga një tryezë e rrumbullakët, me dyer të mbyllura, me temë: “Sfidat e vendeve të Evropës Juglindore (EJL) në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian (BE) dhe rreziqet e shtuara gjeopolitike”. Kjo tryezë e drejtuar nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, u fokusua kryesisht në sfidat e integrimit dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në kontekstin aktual gjeopolitik; në parashikimin rajonal makroekonomik dhe atë të stabilitetit financiar; në vështirësitë e shkaktuara nga kriza energjetike me të cilën po përballet Evropa dhe në ndikimin për rajonin.
Punimet e konferencës u çelën me një panel që kishte si qëllim analizimin e trendeve të fundit të inflacionit, kontribuuesit kryesorë të tij në ekonomitë e zhvilluara dhe në zhvillim, si dhe rolin dhe hapësirat që kanë bankat qendrore për të reaguar dhe për të vepruar ndaj këtyre zhvillimeve. Në një përshkrim të përgjithshëm të zhvillimeve të fundit makroekonomike, panelistët nënvizuan goditjet e ofertës, si dhe ndikimin që ato kanë në inflacionin global, ku çmimi i gazit dhe energjisë elektrike, si dhe tejçimi i tyre në kostot e tjera të prodhimit dhe të punës kanë kontribuar më së shumti në nivelet e larta të inflacionit. Përveç kësaj veprojmë në një mjedis makroekonomik dhe financiar me pasiguri të shumta që ndikojnë në ecurinë aktuale dhe të pritshme të inflacionit dhe të treguesve kryesorë makroekonomikë, ku padyshim zhvillimet gjeopolitike kanë një rol domethënës.
Në përgjigje të këtyre zhvillimeve dhe pasigurive, bankat qendrore kanë vepruar më së shumti nëpërmjet rritjes së normës së interesit. Megjithatë, reagimi i politikës monetare duhet të marrë në konsideratë heterogjenitetin e vendeve, specifikat e tyre, në lidhje me nivelin e borxhit si dhe faktorët përcaktues të rritjes ekonomike të këtyre vendeve. Trilema “inflacion, bilanc primar dhe normë interesi”, e vështirëson vendimmarrjen e bankave qendrore, sidomos në këtë realitet të ri makroekonomik. Në kushte krizash, bankat qendrore duhet të forcojnë më shumë se kurrë pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe kredibilitetin e tyre për të siguruar objektivin kryesor të bankave, stabilitetin e çmimeve. Panelistët theksuan se sot bankat qendrore ndodhen në kushte më të mira, si në terma të instrumenteve ashtu dhe të politikave, dhe se ato duhet të reagojnë më shpejt dhe me një vendosmëri më të lartë për të arritur objektivat e tyre. Për më tepër, në kushte të pazakonshme kërkohet një koordinim më i mirë midis autoriteteve monetare dhe fiskale, me qëllim kapërcimin e këtyre problematikave.
Në vazhdën e përfundimeve të panelit të parë, ku u evidentua reagimi dhe normalizimi i politikës monetare, paneli i dytë u fokusua në objektivat e bankave qendrore, evoluimi i tyre në kohë dhe në përputhje me zhvillimet globale, si kriza financiare globale, kriza pandemike dhe më pas efektet e luftës së paprecedentë në Ukrainë. Një tjetër temë e trajtuar ishte dhe roli i ri i bankës qendrore, çfarë mund të bëhet dhe si mund të bëhet pa cenuar pavarësinë, si dhe përfshirja e objektivave të tjera si ndryshimet klimatike, ato të trendeve demografike, si plakja e popullsisë dhe emigracioni, si dhe ndikimi i inovacionit teknologjik e financiar në ekonomi. Përqendrimi vetëm tek një objektiv do t’i ndihmojë bankat qendrore të ringrenë besueshmërinë dhe të arrijnë me sukses atë për të cilën janë mandatuar. Megjithatë, objektivat e tjerë duhet të analizohen, të vlerësohen dhe të jenë në vëmendjen e bankave qendrore, dhe në funksionin e reagimit të tyre për ta pasuruar më shumë hartën e treguesve dhe rreziqeve që bankat qendrore analizojnë, me qëllim minimizimin e humbjeve të saj dhe maksimizimit të mirëqenies së shoqërisë. Kriza e fundit financiare globale, nënvizoi dhe solli edhe një herë në skenë politikat makroprudenciale, si dhe rolin e tyre në drejtim të stabilitetit financiar. Në këtë ambient të ri duhet të kemi një koordinim më të mirë të politikës monetare dhe të stabilitetit financiar në funksion të stabilitetit të çmimeve dhe atij financiar.
Në mbyllje të konferencës, Paneli i Guvernatorëve mblodhi në një tryezë të përbashkët diskutimi Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko; Guvernatoren e Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, zj. Anita Angelovska Bezhoska; Zëvendësguvernatorin e Bankës Kombëtare të Hungarisë, z. Barnabás Virág; Anëtarin e Bordit të Drejtorëve në Bankën Kombëtare të Rumanisë, z. Csaba Bálint, nën moderimin e z. Cristian Popa, ish-Këshilltar në Bordin Drejtues të Iniciativës së Vjenës dhe ish-Zëvendësguvernator i Bankës Kombëtare të Rumanisë.
Paneli i guvernatorëve bëri një përmbledhje të zhvillimeve të fundit makroekonomike dhe inflacioniste, si dhe reagimin e bankave qendrore, ndaj një mjedisi të ri me pasiguri të shumta nga jashtë, por edhe nga dobësitë e brendshme të ekonomisë, të cilat e bëjnë më të vështirë reagimin e politikës së bankës qendrore, ku stabiliteti i çmimeve dhe stabiliteti financiar janë parësore. Bankat qendrore duhet të jenë kujdesshme në vendosjen e një balance midis këtyre të dyve dhe në shmangien e efekteve prociklike mbi sistemin financiar. Bota mund të ndryshojë në mënyrë të vazhdueshme dhe ne duhet të jemi të përgatitur për të reaguar në mënyrë proaktive dhe për të shmangur efektet e raundit të dytë.
Vendimmarrësit duhet t’i kushtojnë rëndësi koordinimit të politikave dhe marrjes së vendimeve në kohë për të arritur atë për të cilën jemi mandatuar. Duhet të marrim masa të menjëhershme, graduale por jo ekstreme. Vendet në zhvillim duhet t’u kushtojnë rëndësi praktikave të menaxhimit të likuiditetit, kursit të këmbimit, për të menaxhuar dhe për të ankoruar pritshmëritë e inflacionit, por dhe për të krijuar më shumë qëndrueshmëri. Bankat qendrore duhet t’i kushtojnë rëndësinë e duhur rreziqeve klimaterike dhe ndikimit të tyre në terma të stabilitetit të çmimeve dhe atij financiar.
Bankat qendrore nuk mund të bëjnë çdo gjë, por ato duhet të rrisin ndërgjegjësimin e publikut, nëpërmjet komunikimit të veprimeve të tyre, si dhe nëpërmjet rritjes së edukimit dhe kulturës financiare. Për më tepër, duke qenë vende të vogla dhe të hapura, të kushtëzuara nga zhvillimet globale, koordinimi dhe harmonizimi më i mirë i politikës monetare dhe asaj fiskale do të sjellë një arritje më të mirë të objektivave të secilit autoritet drejt një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm.
Burimi: Banka e Shqiperise