Analizë nga Dr. Lorenc Gordani
Këshilltar Ligjor për Çështjet e Energjisë
Azhurnimet më të fundit mbi energjitë e rinovueshme
Tregu shqiptar i energjisë po kalon një proces ristrukturimi të plotë e cila do finalizohet me lançimin së afërmi të bursës së energjisë. Një kornizë e re që priret të nxis hyrjen gjithnjë e më shumë në një zhvillim të fortë të energjive të rinovueshme, të atyre të shpërndara për vetkonsum (DER), rritje të tregtimit dhe mbi të gjitha mundësive të futjes së furnizuesve alternativ, shtimit të parkut të makinave elektrike, etj.
Lidhur me zhvillimin e energjive të gjelbërta, tranzicioni i thellë i mësipërm i energjisë është kurorëzuar së fundmi me miratimin e Planit të Konsoliduar Kombëtar të Veprimit për Burimet e Rinovueshme të Energjisë (PKKVBRE) për periudhën 2019-2020. Plan veprimi tashmë në fuqi nga 19 shtatori 2019, i cili shikon rritjen e kapaciteteve të disponueshme të energjive diellore (PV-ve) nga 120 MW në 490 MW, të energjive nga era (eolike) prej 70 MW në 150 MW, dhe atyre nga biomasa nga 8 MW në 41 MW.
Kontributi në energjinë e gjelbër të burimeve fotovoltaike (PV)
Aspekti më i dukshëm i këtij rinovimi të thellë konsiston në miratimin e parashikimeve ligjore mbi net metering për lidhjen me sistemin e shpërndarjes së instalimeve të vogla fotovoltaike për vetë-prodhuesit e energjisë diellore, të miratuar në korrik 2019. Skema e matjes neto, në të cilën njihet një kthim i plotë i energjisë së tepër të “depozituar” në rrjet pa paguar asnjë kosto për përdorimin e tij (i cili në këtë rast shërben si një bateri gjigande).
Në praktikë, instalimet fotovoltaike po përqafohen gjithnjë e më shumë nga të gjitha kompanitë prestigjioze. Për më shumë, tashmë kapaciteti aktual i vënë në shfrytëzim të parqeve nga 2 MW ka arritur në 24 MW, dhe kontributi i tyre konkret deri në tetor 2019 arriti në 0.6% të prodhimit kombëtar. Një fakt i dëshmuar edhe nga konfirmimi i të dhënave statistikore mbi rritjen e kredisë për projektet e gjelbërta, në nivelin e 200 Mil/Euro përgjatë vitit 2019, me rritje për sektorin privat me 43%.
Një ndryshim i qasjes në lidhje me energjitë e rinovueshme, në mënyre të ngjashme me zhvillimin në pjesën tjetër të Ballkanit, që synon diversifikimin e tyre. Një tendencë që u finalizua me miratimin në gusht dhe hyrjen në fuqi në periudhën e shtatorit të PKVBRE së re për 2019-2020, që ngre kapacitetin e PV të planifikuar nga 120 MW në 490 MW, duke rezervuar për centralet deri në 2MW kapacitetin e përgjithshëm me 290 MW.
Tranzicioni i energjisë të cilit i shtohet edhe kontributi i erës
Zhvillimi i mësipërm konfirmohet edhe nga prova faktike e dorëzimit te projekteve gjate muajve të fundit në Ministrinë e Energjisë, përqendruar vetëm në propozime të reja në fushën e prodhimit te energjisë nga era. Tendencë që nxitet nga objektivi i ri i aprovuar me PKVBRE 2019-20120 që rriti kapacitetin e planifikuar ne energjinë eolike nga 70 MW në 150 MW brenda vitit 2020. Një zhvillim që bën të mundur shumë afër hapjen e një thirrje ndërkombëtare bazuar në uljen e kostos së teknologjisë së erës dhe prezencës tashmë në rajon të kompanive ndërkombëtare të interesuara në këtë fushë.
Fillimi i epokës së valorizimit të veçorive lokale
Për më tepër, rinovimi i thellë i tregut të energjisë në energjitë e rinovueshme është duke parë madje kthimin e vëmendjes edhe në veçantitë rajonale. Një ndryshim i qasjes për energjitë e rinovueshëm që synon diversifikimin e ngjashëm me zhvillimin që po ndodh kudo në rajon dhe më gjerë në pjesën tjetër të Ballkanit. Një tendencë që u finalizua në PKVBRE ambicioze që sheh të rritet përdorimi i biomasës nga 8 MW në 41 MW brenda vitit 2020.
E fundit, por jo më pak e rëndësishme, për sa i përket transportit një iniciativë e re ligjore përcakton se 5% e sasisë së karburantit të konsumuar për transport brenda vendit duhet të përbëhet nga biokarburanteve, ndërsa deri në vitin 2020 kjo shumë duhet të zërë 10% të totalit, e cila hap rrugën për herë të parë për prodhimin dhe përdorimin e biokarburanteve me qëllim të arritjes së objektivit 38% deri në vitin 2020.
Diversifikimi dhe fundi i epokës së shfrytëzimit intensiv të HEC-eve
Një ndryshim i qasjes në lidhje me rinovimin që synon diversifikimin, ngjashëm me zhvillimin në pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor dhe BE-se, i cili ka bërë që Shqipëria të ndërmarrë tashmë një hap të madh drejt heqjes dore nga shfrytëzimi me çdo kusht të burimeve ujore, veçanërisht atyre me një kapacitet nën 2 MW të vlerësuara si më të dëmshmet.
Për këtë, tani më shumë se kurrë nuk mbetet veç për të ndjekur me plotësimin e opsioneve të mësipërme. Por për të bërë këtë pengesa kryesore qëndron në hapjen e tregut i cili mbështet teknologjinë dhe shfrytëzon burimet që bazohen në sinjalet e ekonomike, përmirëson procedurat dhe transparencën, krijon figura të reja dhe rrit kapacitetet profesionale, ruan dhe mbron më mirë mjedisin, çon incentivat më pranë konsumatori, etj.
Për më shumë mbi sa më sipër jeni të ftuar të gjeni prezantimin në këtë video të shkurtër.
Dr. Lorenc Gordani, koordinator i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë së Rinovueshme (IRENA) dhe këshilltar i pavarur mbi politikat dhe kuadrin ligjor rregullator dhe infrastruktura ne sektorin e energjisë