Krijimi i vendeve të punës në SHBA ishte pozitiv muajin e kaluar, pavarësisht trazirave në sektorin bankar dhe ndikimit të kostove më të larta të huamarrjes. Punëdhënësit shtuan 253,000 vende pune, më mirë nga sa parashikonin shumë analistë. Shkalla e papunësisë ra në 3.4%, duke u rikthyer në nivelin më të ulët të disa dekadave. Fitimet janë tregues i qëndrueshmërisë së tregut të punës në SHBA, i cili ka rezistuar përballë përpjekjeve agresive të bankës qendrore të SHBA për të ftohur ekonominë. Rezerva Federale e ka rritur normën e saj bazë të interesit nga afër zero në mes 5% dhe 5.25% në pak më shumë se një vit, një ndryshim i papritur që synon të frenojë çmimet që po rriteshin vitin e kaluar me ritmin më të shpejtë në dekada.
Këto rritje kanë shtuar ndjeshëm koston e blerjes së një shtëpie ose makine, si dhe e kanë bërë më të shtrenjtë marrjen e borxhit për të zgjeruar një biznes. Në teori, kjo duhet të zvogëlojë kërkesën, duke e çuar ekonominë në ngadalësimin dhe lehtësimin e presioneve që rrisin çmimet. Në raportin e tij Departamenti i Punës tha se krijimi i vendeve të punës u rrit përsëri, ndërsa pagat u rritën me 4.4% nga një vit më parë. Shumë ekonomistë presin që ekonomia amerikane të bjerë në recesion më vonë këtë vit, duke vënë në dukje ngadalësime të mëdha në sektorë kyç si strehimi. Javët e fundit janë dhënë njoftime për shkurtime të vendeve të punës nga kompani të mëdha si pronari i Facebook-ut Meta, Amazon, gjiganti i argëtimit Disney, banka dhe firma të tjera. Rritja e normës kontribuoi gjithashtu në trazirat në sektorin bankar, i cili pësoi tronditjen më të madhe që prej krizës financiare të vitit 2008.
Por kreu i bankës qendrore amerikane, Jerome Powell, tha këtë javë se fuqia e vazhdueshme e tregut të punës e bëri atë të shpresonte se kjo kohë do të ishte “ndryshe” – dhe SHBA mund të shmangte një rënie që do të dëbonte miliona njerëz nga puna.”Kjo do të ishte kundër historisë,” pranoi ai. “Unë e vlerësoj plotësisht këtë”.
Inxhinieri i softuerit Brian Zovko u pushua nga puna në industrinë e makinave në shkurt. Ai tha se ishte i befasuar sepse kompania e tij kishte korrur fitime të mëdha. Por kohët e fundit, bosët kishin ngritur mundësinë e uljes së kostove, duke vënë në dukje se ata ishin të shqetësuar për ndikimin e kostove më të larta të huamarrjes dhe një ngadalësim në ekonomi.