Organizohet në Universitetin Bujqësor të Tiranës një seminar informues për prezantimin e Tabelës Shqiptare të Përbërjes së Ushqimeve, e krijuar për herë të parë në Shqipëri.
Kjo tabelë u krijua falë Programit Zyrtar për Mbështetjen e Zhvillimit në zonën e përbërjes së ushqimeve për Evropën Qendrore dhe Lindore dhe Azinë Qendrore, i financuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës Sllovake.
Në seminar morën pjesë të ftuar nga institucione të ndryshme me rëndësi në vend, si AKU, AMVB, OBU, Agroturizme, profesorë, studentë, konsumatorë, etj.
Baza kombëtare e të dhënave të përbërjes së ushqimit është thelbësore për:
-ofrimin e informacionit të detajuar mbi përbërjen e ushqimit,
-studimet kërkimore të dietave lidhur me efektet në shëndet, riprodhimin, rritjen dhe zhvillimin,
-për studimet, industritë, politikat dhe modelimet që lidhen me dietat dhe ushqimin,
-për hartimin e dietave me përbërje të veçantë ushqyese në praktikën klinike, në formulimin e racioneve,
-për zhvillimin e produktit, duke përmbushur kërkesat e etiketimit të ushqimit, si dhe në përputhje me standardet dhe rregulloret kombëtare dhe ndërkombëtare,
-për zhvillimin e programeve edukative dhe udhëzimin e konsumatorëve për zgjedhjen e dietave të shëndetshme, etj.
UBT synon të shtrijë bashkëpunimet për pasurimin e mëtejshëm të databazës së ushqimeve shqiptare dhe biodiversitetin e tyre, duke përfshirë edhe gatimet tradicionale, një potencial i çmuar për pasurimin e databazës kombëtare të përbërjes së ushqimeve.