Nga data 1 tetor familjet do të paguajnë çmimin e energjisë elektrike me 42 lekë pa TVSH për çdo kilovat mbi 800 KWH që shpenzojnë. Familjet që shpenzojnë deri në 800 KWH do të vijojnë ta paguajnë energjinë elektrike me 9.5 lekë. Lajmi është bërë i ditur nga Kryeministri Edi Rama, i cili sqaroi se janë mbi 90% konsumatorë familjarë që konsumojnë më pak se 800 KWH.
Çmimi 42 lekë për kilovat do të jetë në fuqi deri më 31 dhjetor, ndërsa në janar të 2023-shit pritet të caktohet një çmim i ri për fashën mbi 800 kilovat/orë në varësi të luhatjeve në bursë.
Synohet që me këtë fashë për familjet që konsumojnë shumë, qeveria të kursejë 100 milionë euro deri në dhjetor 2023, ndërsa pritet të ulet me 2% konsumin e energjisë.
Një tjetër projekt pilot i qeverisë për 2 mijë familje është instalimi i paneleve diellore në pallate në mënyrë që të përdorin për ngrohje uji ku qeveria do t’i mbulojë 70% të kostos nëse ato vendosin të blejnë panele diellore.