Mungesa e reshjeve e ka çuar vendin në një situatë të vështirë energjitike. Në një deklaratë për shtyp, Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka deklaruar një tjetër hap të ndërmarrë për përballimin e krizës.
Më shumë import energjie është i nevojitshëm në vend, ndërkohë që do të ndërpritet ndriçimi në disa nga akset kombëtare.
“I kemi kërkuar ARRSH që të ndërpresë ndriçimit në akset kombëtare. Do përmend disa prej tyre, aksi Tiranë-Durrës, By Passi i Durrësit Plepa – Kavajë-Rrogozhinë, Qafë e Kasharit- Rinas, Lin-Pogradec, By Passi i Shkodrës, Korçë-Ersekë, Ura Kajdarit-Qafë Gjashtë. Gjithashtu do të këtë një ndërprerje edhe në akset kombëtare të ndriçuara në degëzim, si By Passi i Fierit, me hyrje daljet, Lezhë-Shëngjin me degëzimet dhe Shkodër-Hani i Hotit me degëzimet e tij. Nuk do të preken rrugët që cënojnë sigurinë rrugore, si rrethrrotullimi Rrogozhinë Lushnje, Shkodër-Hani i Hotit, Lezhë-Kakariq”, tregoi Balluku.
Ministrja bëri thirrje për të kursyer energji.
“Do i drejtohemi importit. Në një situatë hidrike që pak a shumë është e tillë në të gjithë rajonin. Flasim për cikël të mbyllur, gazi dhe nafta janë me çmime të larta. Për këtë arsye do të na duhet të konsumojmë sa më pak energji, për të mos patur mungesë. E kemi përsëritur disa herë dhe ndoshta është argument që duhet ndarë. Qeveria ka vendosur qe te mbroje familjet dhe bizneset e vogla. Nuk do te këtë rritje çmimesh, por duhet të kuptojmë se duhet të kursejmë”.
Rëniet e niveleve të liqeneve të hidrocentraleve në kaskadën e Drinit dhe në Fierzë kanë ardhur duke u përshkallëzuar ndjeshëm ditët e fundit. Sipas të dhënave të raportuara Hidrocentrali i Fierzës ka një nivel 261 metra, nga 297 metra që është niveli maksimal.
Në kushtet e emergjencë, KESH është kompania publike e ngarkuar plotësisht me furnizimin e vendit me energji, duke menaxhuar blerjen e tepricës që nuk sigurohet nga prodhimi vendas. Aktualisht ajo po kërkon qiramarrjen e burimeve termike të prodhimit të energjisë si një formë e diversifikimit dhe rritjes së sigurisë së furnizimit.
Emergjenca është parashikuar të zgjasë deri më 15 prill./ProBizz.al