Industria globale e luksit po përpiqet të përshtatet me një brez të ri milionerësh, të pasuruar nga bumi i inteligjencës artificiale dhe kompanive të teknologjisë. Ndryshe nga milionerët e tjerë, të cilët zakonisht investojnë në veshje të shtrenjta dhe aksesorë prestigjiozë, të pasurit e rinj po shpenzojnë gjithnjë e më shumë për përjetime, teknologji, pasuri të paluajtshme dhe objekte të pazakonta.
Një shembull domethënës është Chip, ish-shkencëtar, i cili ka blerë një meteorit, një fragment shkëmbi i ardhur nga hapësira, me vlerë 10 mijë dollarë dhe një kamion zjarrfikës të përdorur për 5 mijë dollarë, të cilin mendon ta përdorë si atraksion në festën e ditëlindjes së djalit të tij. Në listën e dëshirave të tij ndodhet edhe një orë TAG Heuer Carrera SpaceX Chronograph, me vlerë rreth 8 mijë dollarë.
Megjithatë, ekspertët nuk janë ende të bindur nëse milionerët e rinj të krijuar në SHBA gjatë vitit të kaluar, falë rritjes së tregjeve financiare dhe listimeve në bursë të kompanive të inteligjencës artificiale, do të jenë shtysa që presin markat e luksit për të rigjallëruar shitjet.
Tregu global i produkteve të luksit, me një vlerë prej 358 miliardë eurosh në vitin 2025, është tkurrur gjatë dy viteve të fundit. Rënia e kërkesës në Kinë dhe pasiguritë ekonomike kanë detyruar markat e njohura të kërkojnë konsumatorë të rinj, ndërsa Amerika e Veriut është shfaqur si një nga tregjet me rritjen më të fortë për grupe luksoze si LVMH, Richemont, Hermès dhe Gucci.
Sfida kryesore është se kjo kategori milionerësh ka prioritete të ndryshme nga të pasurit tradicionalë. Ata janë më të prirur të investojnë në mirëqenie, teknologji dhe aktivitete sesa në garderoba të kushtueshme.
Këtë prirje e tregon edhe Zack Kass, ish-drejtues i strategjisë së tregut në OpenAI, i cili përdori fitimet e realizuara nga kompania për të blerë një ekip profesionist volejbolli, në vend që të investonte në mallra luksi.
Edhe një ish-inxhinier i SpaceX, aksionet e të cilit vlerësohen rreth 4 milionë dollarë, ka zgjedhur një qasje të ngjashme. Ai dhe bashkëshortja e tij kanë blerë orë Apple Watch për të monitoruar aktivitetin fizik dhe planifikojnë të riinvestojnë pjesën më të madhe të pasurisë së tyre, ndërsa kanë organizuar një udhëtim me kroçierë në Alaskë.
Megjithatë, orët luksoze mbeten një nga segmentet më të forta të këtij tregu. Marka si Rolex dhe Cartier vazhdojnë të ruajnë vlerën në tregun e rishitjes dhe konsiderohen jo vetëm aksesorë prestigji, por edhe investime afatgjata. Për më tepër, orët inteligjente nuk i zëvendësojnë gjithmonë orët klasike në evente formale apo në ambientet e biznesit.
Sipas Federatës së Industrisë Zvicerane të Orëve, Shtetet e Bashkuara ishin tregu më i madh për eksportet e orëve zvicerane gjatë vitit 2025, duke përfaqësuar 17 për qind të eksporteve globale.
Në të kundërt, markat e modës përballen me një sfidë më të madhe. Analistët vlerësojnë se milionerët e rinj të teknologjisë shpenzojnë rreth një të tretën më pak për veshje elegante dhe produkte lëkure, krahasuar me familjet që e kanë trashëguar pasurinë prej brezash. Në vend të kësaj, ata preferojnë të investojnë në prona, jahte, automjete dhe asete të tjera me vlerë afatgjatë.
Edhe pse marka ikonike si Chanel dhe Hermès vazhdojnë të gëzojnë prestigj të lartë, shumë drejtues të kompanive të teknologjisë mbeten besnikë ndaj stilit të tyre të thjeshtë. Vetë Chip nuk planifikon të ndryshojë mënyrën e të veshurit, përveç blerjes së disa veshjeve më cilësore për aktivitetet në natyrë. Xhaketën e fundit e bleu në rrjetin e dyqaneve të përdorura Goodwill, ndërsa bluzat dhe pantallonat e shkurtra vazhdojnë të jenë zgjedhja e tij e përditshme./Reuters












