Në vitin 2010, Dieta Mesdhetare dhe mënyra e të ushqyerit u rregjistrua në UNESCO si pjesë e Trashëgimisë së Paprekshme Botërore. Kulinaria e vendeve të pellgut të Mesdheut e perzgjedhur për vite me rradhë ndër më të preferuarat, ku pjesë e së cilës është edhe Dieta Mesdhetare, ka ardhur si rezultat i ingridientëve që ajo përmban dhe mënyrës se si gatuhet.
Dieta Mesdhetare, pjesë e Kulinarisë së këtij rajoni, është njohur nga UNESCO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë) si Trashëgimi Kulturore Botërore e Paprekshme e Njerëzimit.
Pranimi erdhi në vitin 2010, duke theksuar rëndësinë kulturore dhe përfitimet për shëndetin e ushqimit tradicional të shteteve në rajonin e Mesdheut. Njohja saj nga e UNESCO thekson jo vetëm vlerat ushqimore, por edhe praktikat kulturore dhe sociale të lidhura me dietën mesdhetare, si mënyrat e gatimit, ritualët dhe bashkëveprimet sociale rreth ushqimit.
Artikulli përshkruan vlerat e kulinarisë mesdhetare, duke e trajtuar si një model të ushqyeri të bazuar në traditën dhe kulturën e zonave të Mesdheut. Nëpërmjet analizës së rezultateve të studimeve dhe hulumtimeve, eshte treguar për përfitimet shëndetësore të kësaj diete, duke përfshirë uljen e rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare, zvogëlimin e rrezikut të disa llojeve të kancerit, dhe mbrojtjen e shëndetit të kockave.
Kulinaria mesdhetare është parë në kontekstin kulturor dhe social në të cilin gastronomia mesdhetare praktikohet, duke e paraqitur atë si një pjesë të rëndësishme të Trashëgimisë Kulturore të zonave të Mesdheut.
Qëllimi i artikullit nuk është përshkrimi thjesht i Dietës Mesdhetare, sepse kjo i përket ekspertëve në këtë fushë por, rëndësia e paraqitjes së saj si një model të ushqyeri që shumë ekspertë i mëshojnë në kuptimin e thellë të rëndësisë së saj si një mjet për mirëqënien dhe si një trashëgimi e rëndësishme kulturore.
Artikulli nuk ka për qëllim të trajtojë dietën që ndjekin vendet e Mesdheut, ushqimet që duhet të konsumohen dhe orarin kur duhet ngrënë, sepse nuk është ky qëllimi i tij. Këtu do të trajtohet se si mënyra e të ushqyerit është pjesë e rëndësishme e stilit të jetesës dhe Trashëgimisë Kulturore të një vendi, kryesisht në këtë rast të vendeve të pellgut të Mesdheut.
Kulinaria mesdhetare paraqitet si një model të ushqyeri që shumë ekspertë dhe studiues e vlerësojnë për përfitimet e saj në shëndet dhe kulturë, si edhe në ruajtjen e vlerave te Trashëgimisë Kulturore të rajonit të Mesdheut. Kjo përfshin rëndësinë e rolit të të ngrënit së bashku në përcaktimin e identitetit kulturor dhe në forcimin e lidhjeve shoqërore në këtë rajon.
Përfshirja e saj në Unesco, si vlerë unike e Trashëgimisë Kulturore Botërore, nuk ka qënë në kuptimin e saj të thjeshtë: te të ngrënit, por për vlerat ushqyese që ajo mbart në përbërësit e saj, mënyra si gatuhet, vlerat ushqyese dhe më e rëndësisshmja ajo është kthyer në një element të rëndësishëm të identitetit mesdhetar.
Pellgu mesdhetar ka qenë, për mijëvjeçarë të tërë, një udhëkryq qytetërimesh, të cilat kanë marrë dhe kanë dhënë pjesë të rëndësishme nga identiteti i tyre. Klima e butë, dashamirëse në rajon dhe fryma e ngrohtë njerëzore, karakteristikë kjo për banorët e rajonit, i kanë modeluar përbërësit e ndryshëm në një ekuilibër. Kjo është shprehur dukshëm dhe pasqyruar me shumë dashuri edhe në ushqimin e popujve të këtij rajoni, të cilët momentin e të ushqyerit e kanë një proces shumë të rëndësishëm, si një perëndi së cilës i falen në përditshmerinë e tyre. Një ndër instiktet njërëzore është edhe ushqimi por, për mesdhetarët është më shumë se kaq.
Kur flasim per Trashëgiminë Kulturore, ketu nuk nënkuptojmë vetëm objektet e saj të shprehura materialisht por, edhe trashëgiminë jo materiale dhe shpirtërore. Pjesë e kësaj trashëgimie përgjatë shekujve ka qënë edhe kulinaria, mënyra e të ushqyerit, e cila është pjesë e kulturës së popujve të ndryshëm.
Në përgjithësi, dieta mesdhetare është një mënyrë e të ushqyerit e cila promovon një stil jetese të shëndetshëm dhe përfshin një shumëllojshmëri të përimeve dhe produkteve të tjera ushqimore të cilat kontribuojnë në mirëqenien dhe shëndetin e përgjithshëm të individëve që e ndjekin.
Në fund të fundit, është e rëndësishme të riformulohet kuptimi i fjalës “dietë” për të përshkruar një stil të ushqyeri, duke e parë atë si një mënyrë jetese dhe jo vetëm si një regjim ushqimor për humbjen e peshës. Në këtë kuptim, dieta mesdhetare vlerësohet si një nga dietat më të shëndetshme për zemrën dhe për mirëqenien e përgjithshme.
Kulinaria mesdhetare është një pjesë thelbësore e Trashëgimise Kulturore të rajonit të Mesdheut. Ajo përfaqëson një traditë të gjatë dhe të pasur, e favorizuar kjo nga klima dhe shumëllojshmëria e produkteve të freskëta e cila është trashëguar nga brezi në brez. Disa elementë të cilat e bëjnë këtë kuzhinë të vecantë dhe pjesë të rëndësishme të kulturës jo vetëm mesdhetare por, edhe asaj botërore lidhet me përdorimin e produkteve të freskëta të sezonit: vaj ulliri, peshku, perime, fruta, c’ka ka ndihmuar në shijen autentike të ushqimit.
Mënyra dhe teknikat e gatimit që janë transmetuar nëpërmjet gjeneratave, shumëllojshmëria e pjatave që ofron kuzhina mesdhetare, përdorimi i erëzave të freskëta, dhe ajo që është më e rëndësishmja, koncepti i të ushqyerit ku vihet theksi mbi ngrënien së bashku të gjithë anëtarëve të familjes.
Kjo e ka bërë kulinarinë mesdhetare jo vetëm një mënyrë thjesht të ushqyeri, por një mjet për të ruajtur dhe promovuar këtë pjesë të trashëgimisë kulturore të këtij rajoni, e ardhur që nga kohët e lashta dhe është transmetuar brez pas brezi brënda familjes mesdhetare duke u përhapur edhe më gjerë.
Ndër kuzhinat e pasura mesdhetare është edhe kuzhina shqiptare duke qënë pjesë e rajonit ajo ka marrë prej tij dhe më tej duke promovuar një përzierje unike te shijeve dhe aromave që brezat kanë trashëguar. Ndërsa ka marrë, ajo e ka pasuruar me tej kuzhinën mesdhetare me specialitetet e saj të ushqimit dhe shijet e tij.
Për shqiptarët, kuzhina nuk është vetëm një mënyrë e të ushqyerit, por gjithashtu një mjet për të përjetuar dhe promovuar trashëgiminë e tyre kulturore. Përmes ushqimeve tradicionale dhe festave kulinare, ata ruajnë historinë, traditat dhe vlerat e tyre kulturore. Kjo e bën kuzhinën shqiptare një pjesë tërheqëse dhe të rëndësishme të kulturës së kuzhinës së Mesdheut, duke e bërë atë një destinacion tërheqës për turistët dhe një element thelbësor i identitetit kulturor të vendit.
Marrë nga Dosja.al