Alfred Marku sfidon me LEJLEKU BURGER
Chef Alfred Marku, i quajtur ndryshe edhe “kompozitori” i kuzhinës, njihet në Shqipëri si mjeshtri i gatimit që revolucionarizoi gastronominë shqiptare, duke e sjellë tradicionalen në formatin “gourmet”.
Pas një përvoje të spikatur në Itali, ai u kthye në vendlindje si Chef kuzhine dhe prej 17 vitesh magjeps klientët e restorantit të tij “Rapsodia”, duke u servirur ushqimet e traditës në një formë të përpunuar me estetikë të lartë, risi të vazhdueshme dhe shije të pangatërrueshme.
Ushqehu shëndetshëm duke përdorur prodhime shqiptare, është udhërrëfyesi i punës së tij. Ndërsa gatimet e tij gourmet vijnë si një rapsodi e mrekullueshme shqiptare në pjatë, sfidon me LEJLEKU BURGER.
Një chef i gatimit gourmet, propozon një linjë të shëndetshme fast food-i. E ka quajtur “Buka e Lejlekut”, fast food-in e tij të hapur në Lezhë para pak ditësh.
Për lexuesit e Probizz.al sjellim këtë intervistë me chef Alfred Marku.
- Duket se sfida juaj është të krijosh shije të reja. BUKA E LEJLEKU synon të jetë një tjetër eksperiment i suksesshëm?
Unë shpresoj që Buka e Lejlekut të pëlqehet nga fëmijët dhe të rinjtë, se me këtë synim ka ardhur. Më ka ngacmuar gjithmonë te “Rapsodia” ideja si do t’i kënaqja fëmijët. Të rriturit dinë ku shkojnë dhe pse, ndërsa fëmija që është me prindin mbetet të kënaqet nga zgjedhjet e tyre. Padyshim që duhet të hanë shëndetshëm, por duhet edhe ta shijojnë me qejf ushqimin e shëndetshëm. Me këtë merak pata sajuar brusketa e disa lloje qoftesh në restorant, enkas për fëmijët, duke i testuar me fëmijët e mi. Kështu u ngjiz ideja e Lejleku Burger, si një propozim për ushqim të shëndetshëm në modelin e fast food-it.
Edhe emri “Buka e Lejlekut” më ka ardhur krejt spontanisht duke përpunuar idenë. Doja të ishte diçka e dashur dhe e mezipritur nga fëmijët, si ai ushqimi që mban lejleku në sqep për fëmijët e vet.
Mirë për fëmijët e të rinjtë, që janë konsumatorët klasikë të fast food-it, dhe rehati për prindërit që të dinë se fëmija ka ngrënë shëndetshëm edhe pse fast food. Uroj të na shkojë mbarë kjo sfidë.
- Me nismën e fundit, ju bëheni kuzhinieri i parë në Shqipëri që hapni një Burger. Çfarë “vepër arti” sjell chef Alfredi kësaj here?
Po, besoj se përbëj lajm në mjedisin profesional si chef që performoj njëkohësisht me gatimin gourmet, që është restorant “Rapsodia”, dhe në të ashtuquajturin fast food, me Bukën e Lejlekut.
Ajo që di me siguri është se çdo produkt në Bukën e Lejlekut është cilësor, i përgatitur në kuzhinë dhe jo i gatshëm – duke përfshirë këtu majonezën, ketchup-in, patate Kukësi dhe jo paketimet industriale, qofte të bëra vetë dhe jo prodhim fabrike, bukë shtëpie të llojeve të ndryshme dhe jo ato standard, që përdoren në industrinë e fast food-it.
Çdo ingredient përpunohet në kuzhinë, për të ardhur si një ushqim i shpejtë dhe i shëndetshëm. Kam zgjedhur një staf të përkushtuar për t’iu përgjigjur në kohë dhe cilësi kërkesave të klientëve, si në mjediset e Bukës së Lejlekut ashtu edhe në delivery, nëpër shtëpitë, zyrat a kudo që duan Bukë Lejleku.
Besoj se shijet duhen kultivuar, sidomos tek fëmijët. Nuk mund të presim që të jenë zgjedhës të mirë të ushqimit, nëse nuk arrijmë t’ua sjellim në format e preferuara prej tyre me shije të reja. Gatimi është art dhe duhet shijuar si i tillë. Një publik i kultivuar di ta shijojë artin, edhe në gatim. Buka e Lejlekut është një investim në këtë drejtim, të kultivojmë ushqimin e mirë tek fëmijët.
- Pse zgjodhët Lezhën dhe jo kryeqytetin, psh?
Sepse Lezha është qyteti im, që më ka mirëpritur këtu e 17 vite më parë me gatimin inovator të “Rapsodisë”, atëherë kur nuk njihej dhe as mendohej se mund të ishte e sukseshme kuzhina gourmet. Ia kam borxh Lezhës, që të prezantoj aty për herë të parë fast food-in jo industrial, gatimin e shpejtë dhe të shëndetshëm, me shije jo standarde siç jemi mësuar.
Përveç kësaj mbetet e rëndësishme edhe një rrethanë tjetër: freskia dhe cilësia e produkteve që përdoren të gjalla, të papërpunuara. Sallata jeshile, domatet, kastravecat e të tjerat vijnë nga kopshti i Rapsodisë. Bulmeti po ashtu, vjen nga baxho jonë.
Oferta kulinare e Lezhës prin në nivel kombëtar dhe unë i besoj fort zhvillimit të tregjeve lokale, mbështetjes së biznesit lokal, produktit lokal. Tirana aty është dhe shumë mirë që është me dinamikat e veta, por mbetem partizan i zhvillimit të qëndrueshëm lokal. Jam i lumtur të njihem si chef Alfred Marku i Lezhës.
- Ku e gjen frymëzimin për të qenë kreativ në receta?
Nga çdo gjë që më rrethon, i bekuar që jetoj në një vend të bukur si Lezha ku përbashkohen mal e det. Dhe kur them këtë do të thotë edhe një pasuri e larmishme e florës dhe faunës, një thesar për gatim cilësor dhe të pasur. Tradita jonë autentike në kuzhinë është një tjetër frymëzim që më sfidon për të eksperimentuar kombinime, forma të reja mbi shije të njohura dhe të dashura për ne.
Kam një ngacmim të përhershëm për të ndjekur trendet e reja të gatimit profesional, duke mbetur i lidhur me traditën dhe kujtesën tonë të shijes.
Buka e Lejlekut është sfida e radhës; të sjell shijen e rafinuar në një format të industrializuar si fast food-i. Nuk është një sfidë e lehtë, por prandaj është e bukur. Me këtë rast, dua t’ju falënderoj për vëmendjen dhe kujdesin ndaj zhvillimeve të biznesit në mjedisin shqiptar.