Ministrja Krifca: Ndihmojmë bletarët të rrisin konkurrueshmërinë
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, znj. Frida Krifca në konsultimet e ligjit për Bletarinë, me përfaqësues të këtij sektori, theksoi se me këtë nismë synohet t’ i jepet fund mungesës së monitorimit të bletës, shtegtimeve të tyre të pakontrolluara dhe trajtimit pa kriter të sëmundjeve të tyre, me pasoja humbje të kolonive të tëra me bletë.
Duke iu referuar statistikave zyrtare, ministrja tha se, aktualisht kemi rreth 12 000 bletërritës në të gjithë vendin, prej të cilëve rreth 3 mijë kanë mbi 50 koshere. Numri i zgjojeve (koshereve) është rritur në 402 mijë koshere, nga 239 mijë koshere që ishin në 2012, ndërsa në çdo qark, janë ngritur dhe funksionojnë Shoqatat Lokale të Bletërritësve, të grupuara nën Federatën Kombëtare të Bletërritësve të Shqipërisë.
Ministrja Krifca vuri në dukje se prodhimi i mjaltit “made in Albania” ka ardhur në rritje, nga 3 000 ton në 2012 në 5 204 ton në 2022, teksa Qeveria Shqiptare ka dhënë mbështetje për sektorin, në mënyrë të vazhdueshme, përmes masave në Skemën Kombëtare, me rreth 1 000 lekë/koshere.
Por sipas saj, na mungonte një kuadër legjislativ, mbi të cilin të bazohej edhe hartimi i një strategjie apo plani të veprimit për ndërhyrje afatgjata në sektor.
“Projektligji qe diksutojmë sot, ka detyrimin e miratimit të një programi 3 vjecar të zhvillimit të bletarisë, që do të jetë një hap i rëndësishëm në zhvillimin e sektorit. Projektligji për Bletarinë mbështetet në Strategjinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Peshkimit 2021-2027 dhe përfaron pjesërisht rregulloret e Bashkimit Evropian“, tha Ministrja Krifca.
Ekspertët e grupit të punës në diskutime edhe me grupet e interest, kanë përcaktuar rregulla dhe kushte për regjistrimin, transportin dhe mbrojtjen ndaj përdorimit të produkteve veterinare dhe PMB-ve, mbështetjen, ushqyerjen, etiketimin, kontrollet, masat administrative. Gjithashtu janë përcaktuar edhe detyrimet, që kanë strukturat përgjegjëse shtetërore dhe shoqatat e bletërritësit, teksa orientojmë një shfrytëzim të kontrolluar të kullotave.
“Ne synojmë të mbrojmë racën e bletës e popullata tipike autoktone – vendase të bletëve ose zonave kufitare, të garantojmë mbrojtjen e mjedisit dhe të prodhimeve agropyjore.“
“Me Skemën Kombëtare të Trajnimit po trajnojmë fermerët dhe ekstensionistët. Deri më sot kemi trajnuar mbi 600 fermerë dhe do të trajnojmë dhe 600 të tjerë deri në përmbyllje të Skemës së parë të Trajnimit të organizuar me UBT përmes mbështetjes së Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Ndërsa Bletaria vitin që vjen do të futet në masat e mbështetjes të Programit IPARD.”
“Duam të ndihmojmë bletarët për të rritur konkurrueshmërinë e produkteve të tyre. Sepse kemi bindjen që ky sektor ka potencial të paeksploruar plotësisht.“
“Gjithashtu po nxisim proceset në nivel rajonal (në kuadrë të CEFTA-s), që shumë shpejt të keni mundësi të eksportoni produktet e mjaltit shqiptar në vende të rajonit, me procedurë të thjeshtuar dhe dokumentacion të unifikuar. Kjo do të jetë një dritare e re, që do të plotësojë të gjithë angazhimin tonë për sektorin e bletarisë,” deklaroi ministrja.