Si një pikturë e mrekullueshme e Monesë, Liqeni i Viroit me liqenin e kulluar dhe bimësinë e dendur që jeton nën të, ofron peizazhe fantastike natyrore që ndodhen vetëm 3 kilometra larg Gjirokastrës. Përmes një shëtitoreje që lidh qytetin me Parkun, të shumtë janë ata që zgjedhin të ‘humbasin’ në qetësinë dhe paqen që të ofron ky vend.
Thellësia prej 60 metrash e ujërave të Burimit të Mëmës që i jep jetë Liqenit të Viroit, ka bërë që plot legjenda të krijohen rreth tij, duke rrëfyer se si burimi lidhet me disa shpella e burime të tjera përreth. Të shtyrë nga këto legjenda apo dhe dëshira për të kundruar më nga afër pasurinë nënujore të këtyre ujërave, të shumtë kanë qënë zhytësit shqiptarë dhe të huaj që kanë eksploruar më nga afër Viroin.
Burimi që del nga poshtë – lart nëpërmjet një guve në formë hinke, shoqërohet nga prurje të shumta përgjatë gjithë vitit. Kjo ka mundësuar dhe krijimin e një bote të gjallë tejet mbresëlënse e tërheqëse, që përmes transparencës së ujit mund të vrojtohet edhe pa qënë e nevojshme zhytja në të. Gjatë muajve më të nxehtë të verës niveli i liqenit ulet, e në disa raste dhe është tharë plotësisht.
Shëtitorja
Përgjatë shëtitores të rinj e të reja bëjnë vrap apo ngasin biçikleta, ndërsa të shumta janë familjet që zgjedhin të bëjnë piknik në një ditë të bukur me diell në parkun e mrekullueshëm. Aty mund dhe të pini një kafe apo të hani një drekë të këndshme falë bareve e restoranteve që ndodhen aty. Nëse jeni duke përshkuar rrugën automobilistike Tepelenë – Gjirokastër, pamja sugjestive e Liqenit të Viroit me pyjet e gjelbërta në një anë, e Vjosës në anën tjetër, janë mjaftueshëm ftuese sa për t’ju bërë të ndalni makinën e të pushoni për një kohë që gjithmonë rezulton të jetë më e gjatë se sa parashikimi.
Burimi: Into Albania