Kjo mrekulli natyrore e mbrojtur tashmë dhe nga UNESCO ruan një nga natyrat më të paprekura në Shqipëri.
A e dini se në 12 shtete të Evropës ruhen në mënyrë strikte rezervatet natyrore të pyjeve të lashta të ahut? A e dini se një nga këto vende evropiane është edhe Shqipëria? UNESCO ka përfshirë dy rezervate natyrore të Shqipërisë në listën e trashëgimisë botërore të natyrës pikërisht për pyjet e vjetra të ahut. Bëhet fjalë për zonën e quajtur Lumi i Gashit në pellgun e parkut kombëtar të Valbonës dhe për Rrajcën.
Territori i Lumit të Gashit
Lumi i Gashit u shpall nga autoritetet shqiptare si rezervë natyrore në vitin 1996, me një sipërfaqe prej 3000 ha në verilindje të Alpeve, në rrethin e Tropojës, shumë larg zonës së banuar. Një pjesë e madhe e sipërfaqes së Lumit të Gashit mbulohet me pyje të virgjëra ahu. Pellgu gjeografik përshkohet nga rrjedha ujore të cilat prej dekadash kanë ndihmuar botën e gjallë të lulëzojë dhe jetojë e qetë, e patrazuar nga dora e njeriut.
Flora dhe fauna
Ahu dhe halorët jetojnë harmonkisht në këtë zonë që njihet edhe për faunën e rrallë që fsheh në brendësi. Territori i mbrojtur rigorozisht është habitat për ariun e murrmë, kaprollin, ujkun, derrin e egër, thëllëzën e malit, gjelin e egër, zhgabën, etj. Klima në këtë park kombëtar është e favorshme për të ndihmuar rritjen e pyjeve të ahut. Pavarësisht se është veri, Lumi i Gashit jeton ndikimet e klimës mesdhetare të krejt Shqipërisë. I gjithë rezervati rezulton i padëmtuar nga ndërhyrja e njeriut dhe pyjet e ahut janë rritur e zhvilluar sipas kushteve natyrore të ahut evropian.
Ku ndodhet
Në afërsi të Lumit të Gashit ndodhen liqejtë akullnajorë të Dobërdolit dhe Sylbicës, të cilët vetëm sa rrisin favoret atraktive të zonës. Për të vizituar rezervën natyrore ndiqet rruga automobilistike që fillimisht kalon nga Bajram Curri në fshatrat Qerem, Torkuz, Doberdol dhe pas 45 kilometrave përshkohet rrugë këmbësore që të afron tek Lumi i Gashit. Guidat lokale mund të sugjerojnë edhe një shteg tjetër për këmbësorë i cili duhet thënë se është më shumë impenjativ.
Burimi: Into Albania