Majlinda Mata Kurti është stilistja e suksesshme që ka kthyer pasionin e vegjëlisë në profesionin e saj tashmë 13 vite, që prej hapjes së ateliesë së saj. Siç thotë dhe shprehja e urtë “Zanati vidhet, nuk mësohet”, kështu dhe Majlinda që e vogël qëndronte pas gjyshes dhe mamasë së saj duke parë sesi ato realizonin stilimin e rrobave.
Sot ajo ka një staf prej 8 profesionistësh në atlelienë e saj “EM Haute Couture” dhe sjell me mjeshtëri punime 100% me dorë, si dhe me makineri. Atelieja e saj stilon edhe për shumë figura të njohura të ekranit.
Për ProBizz.al ajo tregon historinë e saj të suksesit.
“Historia ime fillon herët që në moshë të vogël. Këtë profesion e kemi të trashëguar brez pas brezi që nga gjyshja ime, mamaja dhe pastaj unë. Më kujtohet që i qëndroja gjithmonë afër duke i pyetur aq sa nganjëherë më bërtisnin sepse i mërzitja nga interesi i tepërt. Rrobat e mia që në moshën 14 vjeçare i stiloja dhe qepja vetë. Ishte vërtetë kënaqësi e madhe, sepse ndjehesha e veçantë ngaqë stili i rrobave që vishja ishte unik.”- rrëfen Majlinda Mata Kurti.
Për të profesionalizuar punën e saj dhe për të realizuar punime që janë sa më bashkëkohore, Majlinda nisi edhe studimet në fushën e modës duke pasuruar më shumë njohuritë mbi zanatin që kishte marrë nga gjyshja dhe mamaja. Fati bëri që gjatë gjithë jetës, mbështetje për të të ishte dikush që kishte të bënte me pasionin dhe profesionin e saj, pasi bashkëshorti është ekspert në fushën e dizajn.
“Si çdo gjë që ndryshonte me shpejtësi në Shqipëri asokohe edhe moda vazhdoi të marë atë formen e duhur – si të thuash meë evropiane. Që ti përshtatesha ndryshimeve të kohës i hyra studimeve në fushën e modes. Teknikat bashkëkohore dhe mjetet moderne për realizimin e patronave më dhanë shumë zgjerim njohurishë dhe një dëshirë akoma më të madhe për zhvillim të mëtejshëm. Mbas studimeve u martova dhe pikërisht këtu nis edhe historia e brezit tonë. Pasion i bashkëshortit ka qënë fusha e dizenjos dhe kështu i shkrimë pasionet tona dhe i bëmë 1.”- thotë Majlinda.
Brandi “EM Haute Couture” sot gjendet në kryeqytet dhe ka tërhequr klientë të shumtë besnikë falë punës së mrekullueshme që ata bëjnë.
“Ishte dëshira për të realizuar një brand tonin dhe i dhamë inicialet e emrave tanë “EM” (Ermir, Majlinda) dhe duke qënë se synimi është për mode ose prerje e cilësisë se lartë e plotësuam duke shtuar te brandi “HAUTE COUTURE” pra “EM Haute Couture”.”
Ofrimi i cilësisë është prioriteti numër një për Majlindën dhe kjo është çfarë i bën ata të preferuar në tregun e gjerë të kompanive të veshjeve. Realizimi i punimeve bëhet në bazë të dëshirës së klientëve.
“Si vetë emri ajo çfarë u ofrojmë klientëve tanë është cilësia e lartë e rrobave si në aspektin e stilimit ashtu edhe në qepje. Pjesë kontribuese në zhvillimin tonë është edhe stafi ynë. E them me kënaqësi “janë të mrekullueshëm”. Punojnë me finesë dhe shumë delikatesë dhe kjo bën që klienti të jetë gjithmonë i kënaqur nga EM haute couture. EM haute couture – që nga fustanet e mbrëmjes dhe deri tek kostumet dhe xhaketat. Punime 100% me dorë dhe gjithashtu edhe me makineri.” – tregon Majlinda.
Qëllimi kryesor i Majlindës me brandin e saj EM Haute Couture është të sjellë në Shqipëri trendet më të fundit të veshjeve me çmimet më konkuruese në treg. Synimi i së ardhmes është kthimi i brandit në një brand ndërkombëtar, për t’u bërë pjesë e tregjeve të reja dhe më të gjera./ProBizz.al