Vendet e Bashkimit Europian do të përpiqen përsëri këtë javë të miratojnë një marrëveshje për objektivat e reja të energjisë së rinovueshme, të cilat janë bllokuar nga shqetësimet e Francës dhe shteteve të tjera me arsyetimin se ligji mënjanon energjinë bërthamore.
Një grup vendesh, përfshirë Francën, kundërshtuan në minutën e fundit ligjin për qëllime më ambicioze të energjisë së rinovueshme muajin e kaluar, duke vënë në pritje një shtyllë kryesore të planeve të bllokut për të trajtuar ndryshimet klimatike.
Diplomatët e vendeve të BE-së do të përpiqen të miratojnë ligjin këtë të mërkurë. Parisi ka kërkuar ndryshime në ligj për të ofruar trajtim më të favorshëm të energjisë bërthamore dhe tha se marrëveshja përfundimtare vë në disavantazh vendet si Franca me sasi të mëdha të energjisë bërthamore. Energjia bërthamore është me përqindje të ulët karboni por jo e rinovueshme.
Ligji është krijuar për të nxitur një zgjerim të shpejtë të burimeve të rinovueshme të energjisë si era dhe dielli. Marrëveshja e negociuar këtë vit ofroi disa kompromise, duke përfshirë objektiva më të ulëta të karburanteve të rinovueshme për industrinë, në vendet që kanë përdorur tashmë energjinë bërthamore për të reduktuar përdorimin e karburanteve fosile.
Parisi thotë se rregullat ende përjashtojnë hidrogjenin me karbon të ulët të prodhuar nga elektriciteti bërthamor. Në kërkimin e saj për një marrëveshje, BE ka shqyrtuar opsione të tilla si ofrimi i një deklarate, që shoqëron ligjin përfundimtar, duke pranuar sfidën që kjo paraqet për disa vende.
Kjo do të shmangte rihapjen e marrëveshjes mbi ligjin e rënë dakord nga vendet e BE-së dhe ligjvënësit në fillim të këtij viti – një skenar që Komisioni Europian dhe disa vende të tjera duan ta shmangin.
Anëtarë të tjerë pro-bërthamorë të BE-së, përfshirë Bullgarinë, Poloninë, Hungarinë dhe Republikën Çeke, kishin sinjalizuar gjithashtu se nuk do të mbështesin ligjin e energjisë së rinovueshme – duke përmendur shqetësimet se objektivat janë thjesht shumë të larta. Këto vende së bashku kanë vota të mjaftueshme për të bllokuar ligjin.
Është e pazakontë që vendet të refuzojnë marrëveshjet e arritura paraprakisht mbi ligjet e BE-së, të cilat pasojnë muaj të tërë negociatash.
Burimi: Scan tv