Në një intervistë për “Shqiptarët e New Yorkut”, Sinishtaj shprehet i lumtur me këtë arritje, të cilën modestisht ja dedikon stafit të tij, që përbëhet nga më shumë se 40 punonjës.
Shqiptari i lindur në Tuz, po ashtu vlerëson integrimin e komunitetit tonë në shoqërinë amerikane, pa harruar kulturën, gjuhën dhe traditat e origjinës.
Mund të na tregoni diçka më shumë për veten tuaj?
Fillimisht dua t’ju falënderoj shumë për këtë mundësi, kënaqësia është e imja. Unë kam lindur ne Tuz, në zonën e Malësisë së Madhe, në pjesën administrative të Malit të Zi. Pas përfundimit të shkollës së mesme në vendlindje, kam vazhduar studimet e larta në Tiranë, pranë Universitetit Europian dhe në vitin 2011 jam diplomuar për Marrëdhënie Ndërkombëtare.
Në vitin 2013 kam përfunduar masterin dhe jam specializuar në degën e Studimeve Strategjike. Kam jetuar, studiuar dhe punuar në Tiranë për një periudhë 8-vjeçare. Paralelisht kam punuar edhe në Mal të Zi në sektorin privat, si dhe në pozicione të ndryshme të administratës publike.
Gjithashtu kam qenë i angazhuar për një periudhë të shkurtër kohore ne sektorin civil e pastaj edhe në jetën politike të shqiptarëve në Mal të Zi, duke dhënë një kontribut modest në procese të ndryshme. Sot jetoj në New York. Kam emigruar në vitin 2016. Jam i martuar dhe kam tre fëmijë, Jonin, Dean dhe Artin.
Ju jeni menaxher rezidencial në Manhatan. Na tregoni diçka me shumë për aktivitetin tuaj të perditshëm?
Në këtë industri kam filluar të punoj në vitin 2017. Fillimet nuk kanë qenë të lehta, kam filluar të punoj në kompani më të vogla, si fillestar, por në të njëjtën kohë kam vazhduar të ndjek klasa të ndryshme për t’u perfeksionuar sa më shumë në këtë fushë. Sot punoj në një kompani prestigjioze në industrinë e “Real Estate” në NYC, kompani me eksperiencë mbi 120 vjeçare , që rritet dita-ditës. Menaxhoj një ndër komplekset rezidenciale më të mëdha në NYC, me mbi 1200 apartamente, ku jetojnë afro 3500 banorë, në zonën e Midtown West në Manhattan.
Menaxhoj drejtpërdrejt afro 40 punëtorë, që merren me mirëmbajtjen e kompleksit rezidencial, duke u kujdesur për sistemet mekanike, mirëmbajtjen e deri tek shërbimet që ofrojmë për banorët. Pastaj është edhe pjesa administrative dhe financiare si pjesë përbërëse e punës sime. Është një punë që kërkon shumë përkushtim, energji dhe aftësi të mira menaxhuese.
Pak ditë më parë, ju morët çmimin menaxheri i vitit nga shoqata prestigjoze, REBNY. Cfare do te thote per ju ky vleresim?
E vlerësoj shumë, është nder për mua që u përzgjodha Menaxheri i Vitit nga kjo shoqatë kaq prestigjoze. Duke pasur parasysh se sa e fuqishme është industria ku ne punojmë, të them të drejtën ky çmim ka qenë mjaft surpizues për mua, por në të njëjtën kohë u ndjeva shumë i lumtur që puna ime u vlerësua maksimalisht.
Këtë çmim edhe pse individual, unë e shoh si vlerësim i një pune të gjatë dhe bashkëpunim të mirë me stafin tim dhe drejtuesit e lartë të kompanisë. Kam një staf të shkëlqyer, që bën një pune të mrekullueshme dhe kolegë që punojnë në pozicione të ndryshme drejtuese, që kanë dhënë një kontribut shumë të madh për të arritur deri këtu.
Sa i lidhur jeni me komunitetin shqiptarë në NY?
Jam shumë krenar që jam pjesë e komunitetit shqiptar, i cili gëzon respekt të veçantë nga të gjitha komunitet e tjera në NY. Jemi njerëz që edhe pse jemi integruar fuqishëm në sistemin amerikan akoma po me krenari mundohemi të ruajmë kulturën, gjuhen dhe traditat tona, si dhe vetitë që na karakterizojnë.
Mundohem sa më shumë të jap kontributin tim për komunitetin tonë, në mënyra të ndryshme, me mundësitë modeste që kam. Është me rëndësi jetike që të afrohemi dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin, pasi vetëm kështu mund të mbijetojmë dhe ruajmë identitetin tonë. Në qoftë se angazhohemi të gjithë bashkë, kemi mundësi për të dhënë më shumë si komunitet. Hapja e shkollave të mirëfillta shqipe është e domosdoshme për kultivimin dhe transmetimin e saj tek pasardhësit tanë.
Po ashtu angazhimi dhe integrimi në jetën politike amerikane i sa më shumë shqiptarëve, do të na jepte mundësi për të realizuar objektivat tona si komunitet. Ka shumë për të bërë, por mendoj që jemi në rrugën e drejtë, pasi kohëve të fundit kemi arritur të bëhemi pjesë edhe e gjyqësorit.
Jemi shumë dhe mund të bëjmë më shumë.
Marrë nga Businessmag.al