Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancë plenare Aktin Normativ nr. 27, për një shtesë në ligjin “Për procedurat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, prezantoi para deputetëve Aktin, synimi i të cilit është që, deri në 1 janar të vitit 2022, mos aplikojë penalitete ndaj tatimpaguesve, të cilat rrjedhin sipasojë e mosimplementimit në kohë të ligjit nr.87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”.
Ministrja tha se Akti Normativ vjen në mbështetje të bizneseve në një fazë të rëndësishme të aplikimit të procesit të Fiskalizimit.Ndërsa vlerësoi se Fiskalizimi është një reformë madhore e qeverisë, Ministrja Denaj ftoi bizneset që ta shfrytëzojnë periudhën 6 mujore të mos aplikimit të penaliteteve për të përmbushur detyrimet që rrjedhin si pasojë e zbatimit të ligjit.
“Në 1 janar të këtij viti ka filluar zbatimi i fazës së parë të këtij projekti, në 1 korrik të këtij viti ka filluar zbatimi i fazës së dytë dhe konkretisht të marrëdhënieve që ndodhin nëpërmjet sistemit bankar, ndërsa në datën 1 shtator do implementohet faza e tretë, e cila përfshin të gjitha marrëdhëniet me para në dorë apo qarkullimi që ndodh në çdo kasë fiskale. Dua të theksoj edhe njëherë se, vërtet aplikimi i gjobës fillon në 1 janar të vitit 2022, por kjo nuk do të thotë që Fiskalizimi të mos jetë objektiv i çdo biznesi, ndaj çdo dite që kalon”, u shpreh Denaj, ndërsa shtoi se Administrata Tatimore vijon punën e saj për ndërgjegjësimin dhe trajnimin e tatimpaguesve.
Ministrja nënvizoi faktin se ulja e informalitetit është objektiv madhor i qeverisë dhe, në këtë kuadër, reforma e Fiskalizimit, e cila do të mundësojë raportim në kohë reale të transaksioneve që kryejnë bizneset, do ndihmojë në këtë proces.
“Sot është koha ku sistemet dhe leximi i duhur i gjithë të dhënave të qarkullimit të informacionit të ndodhë, si një domosdoshmëri e kohës, por edhe si një domosdoshmëri e buxhetit të shtetit për të realizuar më shumë të ardhura, për të realizuar më shumë punë publike dhe për të konsoliduar financat e këtij vendit, drejt uljes së borxhit dhe deficitit”, theksoi Denaj.
Nga ana tjetër, Ministrja ftoi qytetarët që të bëhen pjesë e uljes së informalitetit në ekonomi, duke kërkuar faturat për shërbimet që marrin, dhe ftoi bizneset të përmbushin detyrimet ligjore që rrjedhin nga zbatimi i Fiskalizimit, të cilat qeveria i mbështet duke mos aplikuar penalitete deri në 1 janar të vitit 2022.
/ProBizz/