Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural njofton se 20561 fermerë aplikuan online në portalin ‘e-albania’ për naftë pa taksa që nga hapja e thirrjes.
Aplikimet e nisura nga data 15 janar janë mbyllur dje në datën 30 Mars. Vërehet se numri më i madh i fermerëve që kanë aplikuar janë nga qarku Korçë, Fier, Berat, Elbasan, Dibër dhe Tiranë.
“Fermerët janë asistuar gjatë gjithë procesit të aplikimit nga specialistët e bujqësisë pranë Agjensive Rajonale të Ekstensionit Bujqësor dhe Agropikave, por edhe nga njësitë e qeverisjes vendore.”-thuhet në njoftimin e shpërndarë nga Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural.
Kjo e fundit ka kryer verifikimin e përputhshmërisë së dokumentave të deklaruara nga fermeri me ato që ka depozituar.
Pas këtij procesi, pra verifikimit të përputhshmërisë, fermerët që kanë kaluar me sukses këtë fazë, i drejtohen agjencive të Ekstensionit Bujqësor (AREB), ose Agropikave për t’u pajisur me kartën e naftës falas të cilën e tërheq në një pikë karburanti.
Deri dje, 30 mars, janë miratuar rreth 2000 përfitues, për të cilët vazhdon pajisja me kartën e naftës, sipas sasive të përcaktuara në këtë skemë mbështetëse.
Ministria Milva Ekonomi ka deklaruar se qeveria ka parashikuar që kjo mënyrë mbështetjeje me naftë do të vijojë edhe në vitet në vijim.
Implementimi i kësaj skeme, krahas të tjerash ka ndikuar pozitivisht në formalizimin e fermerëve, nëpërmjet pajisjes me NIPT. /ProBizz.al/